MENU
klinika

Nga Entela Binjaku

Fieri mirëpret kulturën evropiane dhe Pranverën e  Frankofonisë

01.04.2019 - 15:10

E ndërsa të rinjtë shqiptarë janë “vërshuar” kurseve të gjermanishtes, e ndërsa prodhimet seriale turke falë televizioneve që u janë dorëzuar pa kushte, po hyjnë dhunshëm në çdo shtëpi shqiptare orë e pa orë, e ndërsa anglishtja po kthehet në një domodoshmëri të fëmijërisë tek të vegjlit shqiptarë, pakkush mendon bukurinë e kulturës franceze të përcjellë përmes frëngjishtes. Sot pak fëmijë shqiptarë sheh ta përqafojnë këtë gjuhë, dhe nëse ndodh kjo sigurisht lidhet me orientimin herë nostalgjik të prindërve të rinj nga koha kur e kanë studiuar vetë në shkolla, kur “mozhetë” e famshme ishin dritarja e parë drejt perëndimit të pazbuluar. E megjithatë, çdo vit në datën 20 mars festohet Dita Ndërkombëtare të Frankofonisë, një ditë që i kushtohet gjuhës franceze dhe kulturës frankofone.

Rumania është një ndër shtetet evropiane që njihet për lidhjen me kulturën franceze. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF) Louise Mushikiwabo, gjatë një vizite zhvilluar kohëtu shpreh se:  “Rumania është shtet frankofon dhe frankofil që mbart dhe përçon ndikimin e OIF-së dhe të gjuhës franceze në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore”. Për ata që nuk e dinë dhe që mendojnë se lidhjet mes Rumanisë dhe Francës janë vetëm të hershme, mund të pohojmë se ato janë të forta dhe aktuale po ashtu.

Rumania është anëtare shtet i kësaj organizate që prej 26 vjetësh. Bukureshti është kryeqendra e disa prej përfaqësive të institucioneve rajonale me rëndësi të lartë si: Bureau de Bureau de l’OIF – Europe centrale et orientale & AUF – Europe centrale et orientale.


Në vitin 2006 kryeqyteti rumun mirëpriti Samitin XI të Frankofonisë. Ai  takim i 13 viteve më parë kishte në qendër “teknologjinë e informacionit në procesin e edukimit”. Në sistemin e arsimit parauniversitar rumun aktualisht studiojnë lëndën franceze në shkollë rreth 1.164.469 nxënës.

Edhe në Shqipëri Ambasada e Rumanisë i kushtoi një vemendje të veçantë përçimit të vlerave të bashkëpunimit franko-rumun. Për të festuar pikërisht këtë lidhje mes dy kulturave dhe për ta përcjellë atë edhe tek qytetarët shqiptarë, ambasada përzgjodhi pasditen e së shtunës së datës 30 mars 2019.  Në mjediset e galerisë  së Artit “Vilson Kilica” në qytetin e Fierit u shfaq filmi me titull “Përvjetori” një prodhim i vitit 2017. Filmi rumun me regji të Dan Chişu i përkthyer me titra në gjuhën frënge ishte një dramë prej 86 minutash që kishte në qendër zhvillimet e familjes në kohët që jetojmë, raportet e secilit me dëshirën dhe vullnetin.

Të pranishëm ishin njohës të gjuhës franceze si dhe njohës të gjuhës rumune, pjestarë të komunitetit arumun. Komuniteti arumun si një urë lidhëse midis dy vëndeve, ka një kontribut të rëndësishëm në jetën shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike të zonës.

Ky aktivitet mbështetej edhe nga Bashkia e qytetit të Fierit e cila po shfaqet gjithmonë e më shumë e prirur drejt evropianizimit të imazhit të një qyteti që e do kulturën evropiane dhe i hap asaj dyert e bashkëpunimit.

Theksojmë se vitin e kaluar në mjediset e Bibliotekës “Dritëro Agolli”  së këtij qyteti u përurua edhe libri i ambasadorit të Rumanisë në vendin tonë SH. T.Z. Mircea Perpelea me titull “ Duke  u kthyer në shtëpi në Evropë, nga Lindja”. Dy muaj më vonë në datën 30 janar 2019, Ambasadori Perpelea zhvilloi një takim të përzemërt në këtë qytet me Kryetarin e Bashkisë, Z. Armando Subashi. Gjatë takimit, u diskutuan aspekte në lidhje me miqësinë midis Rumanisë dhe Republikës së Shqipërisë, kontekst në të cilin, Kryetari i Bashkisë Z. Subashi theksoi momentet e rëndësishme të historisë së Shqipërisë në të cilin, siç tha ai, “Rumania ka qënë pranë Shqipërisë në momentet më vendimtare të historisë së saj”.

Ambasadori Perpelea theksoi rëndësinë e çastit kur zhvillohej ky takim, pasi Rumania mban Presidencën e rradhës të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe lidhur me pritjet e Shqipërisë për një vendim pozitiv për të hapur negociatat e pranimit në BE në qershor 2019, ka siguruar Kryetarin e Bashkisë Z. Subashi për gjithë mbështetjen e Rumanisë dhe në të njëjtën kohë një vëmëndje të veçantë të Ambasadës dhe stafit të saj rreth të gjitha mundësive për zhvillimin e marrëdhënieve në plan lokal në përputhje me përparësitë e zhvillimit të përcaktuara në agjendën e Bashkisë. Pas diskutimeve u propozua që në fund të muajit mars, të përfshihen në kalendarin e veprimtarive të qytetit të Fierit një sërë veprimtarish kulturore, edukative dhe shkencore kushtuar Rumanisë, fakt i cili do të theksojë edhe njëherë afërsinë midis dy vendeve.

Rumania është aktualisht vendi mbajtës i Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian. Në kuadër të kësaj ngjarjeje me rëndësi për shtetin mik, përfaqësia e këtij shteti po zhvillon një seri aktivitetesh. Këto aktivitete kanë nisur që prej janarit të vitit 2019 me aktivitetin përurues të marrjes së Presidencës gjatë një ceremonie mbajtur në “Shtëpinë e Evropës” në Tiranë e po vijojnë me vizita e aktivitete në Fier, Pogradec, Sarandë etj.

Fieri dhe “Përvjetori” i shfaqur në kuadër të Pranverës së Frankofoniës ishte ndalesa që na kujtoi edhe njëherë se “për shqiptarët dielli lind në perëndim”.