Më shumë se një e treta e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Banka Botërore vlerëson se shkalla e varfërisë në Shqipëri për vitin e kaluar ishte 35.2%, duke iu referuar shqiptarëve që jetojnë me më pak se pesë dollarë në ditë.
Në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të publikuar ditën e martë, raportohet se treguesi i varfërisë paraqitet në rënie gjatë viteve të fundit. Që nga viti 2015, shkalla e varfërisë në Shqipëri ka rënë me mbi tre pikë përqindje. Edhe për dy vitet në vazhdim projeksionet janë pozitive. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2020, shkalla e varfërisë në vitin 2020 do të bjerë në rreth 33.5%.
Në fakt, statistikat zyrtare të varfërisë në Shqipëri nuk janë freskuar prej vitesh. Anketa e fundit e Instat për matjen e nivelit të jetesës i takon vitit 2012. Publikimi më i afërt pritet me të dhëna të reja pritet të bëhet në nëntor të këtij viti. Shifrat e Bankës Botërore mbështeten në vlerësime dhe projeksione të vetë institucionit.
Ulja e nivelit të varfërisë besohet të ketë ardhur nga zhvillimet pozitive në prodhim dhe në tregun e punës gjatë viteve të fundit. Shkalla e papunësisë vitin e kaluar zbriti në 12.3% dhe në harkun e pesë viteve ka rënë me mbi 5 pikë përqindje.
Mbështetur në të dhënat e rritjes ekonomike, mund të përllogaritet se vitin e kaluar prodhimi i brendshëm për frymë arriti në afërsisht 560 mijë lekë në vit ose rreth 5 mijë dollarë amerikanë. Prodhimi për frymë vlerësohet se është rritur me rreth 16% në pesë vitet e fundit, shkruan scan.
Megjithatë, rritja e pagave në ekonomi është ndjeshëm më e ulët. Sipas Instat, paga mesatare në ekonomi në fund të vitit të kaluar arriti në 52 mijë lekë, me një rritje prej 8% në harkun e pesë viteve.