Autori i “Shkretëtirës së Tartarëve” është një nga figurat përfaqësuese të shekullit të kaluar, intepretuesi i çfarëdolloj ligësie që e kthen njeriun modern në të burgosurin e pasigurive të tij. Buxati trajton problemtaika që i ka provuar vetë, si për shembull frikën e mossuksesit: entitet i panjohur që të krijon përshtypjen sikur i sugjer autorit se ajo çfarë ndodh është vendosur prej kohësh. Të shumta janë shkrimet autobiografike që gjenden të shpërndara nëpër shënimet e tij. Në romanin e tij më të famshëm, kalaja, pëveç faktit që shërben si strehë për të mirëpritur fantastiken, shndërrohet në gjenerator pritjeje, monotonie dhe mërzie që e largon protagonistin, njëlloj siç ndjehej i tjetërsuar autori në vitet që punoi në “Corriere della Sera”.
Frika shoqëron ekzistencën. Ajo mund ta vajisë atë në luftë, në ndëshkim, në të panjohurën e së ardhmes. Frika e tij është bija e imagjinatës, por nuk është e njëzëshme, mbart në vetvete tema të ndryshme që udhëheqin protagonistët e tregimeve: ose të ngarendin drejt sulmit ose të qëndrojnë në vendnumëro, të pafuqishëm para saj. Frika buxatiane krijon një shkëputje nga përditshmëria, me anë të imagjinatës, e cila e përfshin lexuesin në një dimension krejt të huaj të sigurt, në kufirin e shkeljes së sigurisë. Në tregimet e tij, frika shpeshherë përsëritet, ndonjëherë edhe në titull, çka i jep autorit emrin Kafka italian, ngaqë ka marrë temën universale të frikës dhe e ka futur këtë temë në krijimtarinë e tij.
Megjithëse, ky etiketim nuk i pëlqeu Buxatit. Është thuajse një frikë e lëngshme, e njëjta frikë e teorizuar nga sociologu Zygmunt Bauman: karakter i natyrshëm në çdo qenie njerëzore që udhëzon sjelljen e tyre, duke ndryshuar perceptimin. Për pasojë gjallon një gjendje e frikës latente, gjithmonë e fshehur, e gatshme për t’u futur në realitet edhe pse jo kërcënueshëm.
Shoqëria jonë, shoqëria postmoderne së cilës i parapriu Buxati, është një shoqëri e lëngët, përshtatet me një enë më të madhe shoqërore dhe bashkëjeton me frikën, e cila nuk të lejon ta mbërthesh. Veçantia e Buxatit është mosdorëzimi në hapësira surreale siç bënin ithtarët e romantizmit (pyje, shtëpi të përndjekura nga fantazmat), por është i njëjti habitat i përditshëm që i shkakton vetes frikë shpërthyese. Në hapësirën kohore letrare të shekullit XX, kufiri mes reales dhe të mbinatyrshmes është i dobët. Realizmi bëhet magjik, mungon fundi i lumtur, pasi terrori përgjon gjithnjë në qoshkun atypari. Buxati nuk synon ta mbysë njeriun në frikën e tij, duke zgjedhur të përfaqësojë fantastiken si bindëse dhe të dallueshme, duke shkurtuar distancat mes të njohurve dhe të panjohurve.
Ashtu si Dante, autori përkujton vizionarin me përdorimin e termave të qarta. Prandaj, lexuesi është i çorientuar në një lexim të parë, thuajse i frikësuar: bota e fantazisë në të vërtetë ndrydhet nga një shoqëri moderne që është gjithnjë e më pragmatike, por gjithnjë e më e shurdhër ndaj nevojave të një natyre që kërkon ndihmë.
Klithma më e shurdhër në prodhimin e Buxatit është frika e përparimit shkencor dhe katastrofën që ajo gjeneron. Literatura e shekullit XX është e mbushur me protagonistë që kanë frikë nga progresi, sepse janë vitet kur jehona e një reflektimi është e fortë, apo së paku një përpjekje, mbi përgjegjësinë e njeriut, nga njëra anë, për të ndjekur rrjedhën pozitive të progresit, nga ana tjetër, për të ndjekur zërin e heshtur, por të vazhdueshëm të një morali të supozuar.
Kësisoj, përparimi shkencor ku asistoi Buxati kishte si protagonist një teknologji të pezmatuar, të dëmshme për natyrën dhe vetë njeriun. Një teknologji që përparoi drejt hibridizimit dhe kibernetikës, duke shkatërruar krijesën. Në këtë kuptim, kritika e Kafkës italian përqendrohet në shkatërrimin e ekosistemit, veçanërisht me rendjen e furishme të plastikës në jetën e përditshme.