MENU
klinika

Nga Entela Binjaku

“Java Botërore e Shëndetit” në syrin e studentëve të Universitetit të Mjekësisë

05.04.2019 - 17:04

Ka nisur prej të hënës së datës 1 prill 2019 Java  Botërore e Shëndetit që mbahet nga data 1-7 e këtij muaji.  Edhe këtë vit, sikundër edhe në të kaluarin slogani i kësaj fushate është: “Mbulim gjithëpërfshirës shëndetësor”. Gjatë kësaj jave synohet të ndërgjegjësohen shoqëritë që i bashkohen fushatës të rrisin kujdesin dhe vëmendjen ndaj të gjitha aspekteve që lidhen me shëndetin.

Siç edhe është e pritshme disa nga profesionistët e rinj të shëndetit nisin të japin sinjalet e para të profesionistëve të ardhshëm, pikërisht gjatë viteve studentore. Studentët e vitit të parë të degës së “SHËNDETIT PUBLIK” të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë organizuan takimin e hapur me temë: “Shëndeti i nënës dhe i fëmijës”. Të pranishëm ishin pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, studentë dhe profesionistë të shëndetit publik.

Takimi i mbajtur në mesditën e së mërkurës së datës 3 prill 2019 në Auditorin “William A. Johnson” kishte në qendër çështje që synonin të shtjellonin sa më gjerë temën e përzgjedhur: çfarë është shëndeti? Puberteti dhe mosha e pjekurisë seksuale, shtatëzania dhe anomalitë e saj, lindja e fëmijës dhe periudha e post-lindjes, kujdesi për fëmijën, lindshmëria dhe vdekshmëria e foshnjave ndër vite  etj., ishin disa nga temat e trajtuara. Në takim u përcoll edhe mesazhi i titullarit të Fakultetit prof. Draçinit që në pamundësi për të qenë i pranishëm, shprehte mbështetjen për studentët dhe ju uronte sukses! Të pranishëm në takim ishin pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, studentë dhe profesionistë të shëndetit publik.

Në takimin e ditës së mërkurë studentët paraqiten punën e bërë në ekip, u bënë zëri i kolegëve duke u mbështetur në burimet zyrtare të këshilluar edhe nga pedagogët e tyre të degës së Shëndetit Publik.

Ja disa nga të dhënat që u trajtuan nga studentët referues:

Indeksi i fertilitetit (numri i lindjeve për një grua) nga 2.3 që ishte në vitin 2011, në fund të vitit 2015 ishte vetëm 1.67. Kjo është rënia më e madhe në të gjitha vendet e Europës, shumica e të cilave panë zhvillime pozitive ne lindshmëri.

INSTAT ka publikuar disa të dhëna të cilat pasqyrojnë një rënie me rreth 23,8 % të shtesës natyrore të popullsisë për tremujorin e katërt të vitit 2016, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015.

Gjithashtu lindjet gjatë tremujorit të katërt të këtij viti ishin 8.119 duke pësuar një rënie me 2,9 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e parë 2017, pasqyron një rënie me 33,6 %, në krahasim me tremujorin e parë 2016.

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2017, pasqyron një rënie me 32,6 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2016.

Numri i lindjeve për tremujorin e tretë  2017, rezulton 7.203, duke shënuar një rënie me 20,7 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.

Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e tretë 2017, pasqyron një rënie me 46,7 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.

Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2017, rezulton 7.931, duke shënuar një rënie me 2,3 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Gjatë vitit 2017, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2,7 %, krahasuar me një vit më parë.

Numri i lindjeve në tremujorin e parë 2018 rezulton 5.669, duke shënuar një rënie prej 18,0 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017.

Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 5.592, duke shënuar një rënie prej 25,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2018, pasqyron një rënie me 69,9 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017.

Numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2018 rezulton 6.859, duke shënuar një rënie prej 19,7 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017.

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e tretë 2018, pasqyron një rënie me 35,4 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2017.

Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2018 rezulton 7.319, duke shënuar një rënie me 7,7 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Gjatë vitit 2018, kanë lindur 28.934 foshnje, duke shënuar një rënie me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt 2018 është 1.861 dhe rezulton me rënie prej 26,2 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Ky tregues për vitin 2018 është 7.130 dhe rezulton me rënie 17,4 %, krahasuar me një vit më parë.

Niveli i vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri gjatë periudhës 2001-2013 ishte 12.3 vdekje për 1,000 lindje të gjalla duke qënë më i ulët në Delvinë (0 vdekje) dhe më i lartë në Malësinë e Madhe (23.5 vdekje për 1,000 lindje të gjalla)

Ajo që bie në sy është niveli i lartë i vdekshmërisë foshnjore në Tiranë, e cila përfaqëson nivelin e dytë më të lartë midis të gjithë rretheve të vendit. Në vitin 2014, në vendin tonë, anomalitë kongenitale, sëmundjet e të porsalindurit dhe sëmundjet e aparatit respirator janë shkaqet më të shpeshta të vdekshmërisë foshnjore (0-1 vjeç).

Dibra, Tirana, Elbasani dhe Lezha janë qarqet që kanë nivele më të larta të vdekshmërisë foshnjore, kurse lidhur me gjininë meshkujt paraqesin vdekshmëri më të lartë. Në qarqet Lezhë, Tiranë dhe Vlorë, hendeku gjinor i vdekshmërisë foshnjore në favor të meshkujve është më i lartë sesa në qarqet e tjera. Në qarkun e Gjirokastrës për vitin 2014 nuk është regjistruar asnjë vdekje tek femrat 0-1 vjeç.

Dibra, Korça dhe Kukësi kanë nivel vdekshmërie foshnjore më të lartë tek femrat, ndërkohë që qarku i Korçës ka nivelet më të ulëta të vdekshmërisë foshnjore si tek femrat, ashtu dhe tek meshkujt.