Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, ka thënë se vendi i tij tani është gati të marrë ndihmë ndërkombëtare pas një takimi me shefin e Kryqit të Kuq.
“Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të krijuar mekanizma bashkëpunimi për ndihmë dhe mbështetje ndërkombëtare,” tha Maduro në Twitter të martën.
Presidenti, i cili mohon se gjendja aktuale në Venezuelë mund të përshkruhet si një krizë humanitare, përsëriti pas takimit se bashkëpunimi me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) duhet të respektojë “rendin ligjor të Venezuelës”.
Një delegacion i KNKK-së, i kryesuar nga presidenti i saj, Peter Maurer ka qenë në vendin e Amerikës Jugore që nga e shtuna dhe pritet të përfundojë vizitën e tij të mërkurën.
Venezuela ka qenë e zhytur në një krizë të thellë politike, që kur kreu i opozitës, Guaido ka shpallur veten president në detyrë në janar. Që atëherë ai është njohur nga më shumë se 50 vende, përfshirë SHBA-në, e cila dëshiron që Maduro të japë dorëheqjen.
Maduro fajëson sanksionet amerikane, ndërsa Guaido thotë se ata kanë shumë korrupsion dhe qeverisje të dobët.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gati një e katërta e 30 milionë Venezuelanëve kanë nevojë për ndihmë urgjente.
Një raport i OKB-së thotë se 3.7 milion njerëz janë të kequshqyer, dhe të paktën 22 përqind e fëmijëve nën moshën pesë vjeç vuajnë nga kequshqyerja kronike.
Një takim i Këshillit të Sigurimit i thirrur nga Uashingtoni do të mbahet të mërkurën për të diskutuar krizën aktuale.
Ndërkohë në Venezuelë ka patur vazhdimisht ndërprerje të energjisë të cilat janë shkaktuar nga problemet në një hidrocentral të madh. Venezuela varet nga infrastruktura e saj hidroelektrike, në vend të rezervave të saj të naftës, për furnizimin e saj me energji elektrike vendase. Por dekadat e nën investimeve kanë dëmtuar digat e mëdha, dhe ndërprerjet sporadike janë të zakonshme.