MENU
klinika

Grabitja

Zyrtarë të Rinasit nën hetim, çfarë sekuestruan prokurorët?

13.04.2019 - 15:23

Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar grabitjen e Rinait me 4 vepra penale.

Bëhet fjalë për, “Vjedhje me armë të bankave ose arkave të kursimit”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Vrasje e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve e municioneve”, si dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjatë paradites së djeshme dy përfaqësues të Krimeve të Rënda Klodian Braho dhe Arenc Çela, të cilët po hetojnë grabitjen në Rinas shkuan në zyrat e aeroportit.

Vepra penale “Shpërdorim detyre” është regjistruar për të vendosur para përgjegjësisë strukturat dhe zyrtarët përgjegjës të institucioneve që kishin përgjegjësi për të garantuar sigurinë në Aeroportin e Rinasit.

Jashtë verifikimit nuk do të lihen as tri bankat që u grabitën menjëherë pasi kishin dorëzuar në aeroport 6.5 mln euro që do të transportoheshin nga Shqipëria drejt Vjenës.

Grupi hetimor përbëhet nga tre prokurorë, ku njëri prej tyre do të ketë detyrë hetimin e zyrtarëve të aeroportit apo institucioneve shtetërore, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën.

Ndërsa dy prokurorët e tjerë janë fokusuar te zbulimi i bashkëpunëtorëve të Admir Muratajt dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, sidomos episodin e shkëmbimit të zjarrit mes grabitësve dhe Policisë, ku u ekzekutua edhe Murataj.

Oficerët e Prokurorisë për Krimet e Rënda kanë sekuestruar të gjithë praktikën, që është ndjekur nga ky institucion në grabitjen e së martës në pistën e avionëve.