MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Simboli i eksodit të Kosovës: Nëna me foshnjen “e vdekur” në gji

13.04.2019 - 21:46

Fotografia e nënës nga Kosova, me foshnjen në duar, e shkrepur në vitin 1999 zuri vend në mediat më të mëdha botërore.

Nëna me vajzën “e vdekur” u shndërruan në simbol të luftës dhe sakrificës.

Ivajë, Kaçanik, 3 shtator 1998. Lufta në Kosovë kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme. Një pjesë e madhe e burrave ishte bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë bashkëshortet e tyre me të moshuarit dhe fëmijët. Ndër to ishte dhe Sherife Luta, 22 vjeç, shtatzënë, pak para lindjes.

“Kisha lindje shumë të vështirë. Shëndeti i lig nuk ishte e vetmja gjë që më shqetësonte. Edhe pse mjekët më kishin thënë të shkoja për të lindur në Prishtinë, ata (ushtarët serbë) nuk ma lejuan. Vajzën time, Besën, e linda në maternitetin e Ferizajt”, tregon Sherifja për Deutsche Wellen.

Ritregimi i të kaluarës e mbush me emocione të trazuara Sherifen, sot nënë e tre fëmijëve: një vajze dhe dy djemve. Rrëfimin për periudhën dramatike të 20 viteve më parë e nis nga e bija, e cila i përket gjeneratës së fëmijëve kosovarë të lindur në kushte lufte. Por sfida nuk ishte vetëm lindja.

Ikja me beben në gji

Ivajë, Kaçanik, 8 mars 1999. Kur Besa ishte vetëm 6 muajshe, Sherifes iu desh të linte shtëpinë e të kapërcente malet, për të shpëtuar nga forcat serbe që po afroheshin gjithnjë e më tepër në fshat. Me familjen e të shoqit dhe familjen e saj ajo nis rrugëtimin drejt Maqedonisë, shtet kufitar me Kaçanikun. Nuk kishte kohë të merrte rrobat me vete. Në furrë la bukën që po piqte për familjen, mori vajzën dhe dolën nxitimthi.

Vështirësitë e së kaluarës sot duken si një ëndërr e keqe për familjen Luta, e cila pas luftës ka ndërtuar një shtëpi të re në Kaçanik të vjetër. Besa vijon studimet në vitin e dytë në degën “Shkencat Politike” në Ferizaj.

“Këto histori i kam dëgjuar nga nëna ime. Duke u rritur, kam nisur të kuptoj realitetin dhe sfidat e saj, babait tim dhe të gjithë shqiptarëve. Të njëjtat vështirësi dhe sfida kanë kaluar edhe shokët dhe shoqet e gjeneratës time. Shpeshherë bisedojmë dhe i rrëfejmë njëri-tjetrit këto histori. Ato janë aq të ngjashme dhe aq të ndryshme njëkohësisht nga njëra-tjetra” – i thotë Besa Luta DW-së.

Fotografia që shkroi historinë

Sherife Luta nuk di ta thotë me saktësi datën, se kur u shkrep fotografia që e shndërroi atë dhe të bijën, Besën, në simbolin e eksodit të refugjatëve kosovarë të luftës që u strehuan në Maqedoni. “Nuk e mbaj mend nëse ka qenë data 3 apo 4 prill i vitit 1999. Por momentin e shkrepjes së fotografisë e kam të freskët si sot. Atë ditë kishte shumë kameramanë dhe fotografë. Madje me kërkuan që edhe të jepja intervistë, por nuk pranova. Isha shumë e lodhur”, rrëfen Sherifja, asokohe 22 vjeç.

Deri në vitin 2000 ajo dhe familja e saj nuk e kanë ditur ekzistencën e fotografisë. Ishte bashkëshorti i saj, Mirvati, i cili sheh në një reklamë të madhe në një rrugë të Prishtinës fotografinë e gruas dhe vajzës së tij. Me kalimin e viteve, ata nisën të kuptonin rëndësinë e madhe të fotografisë dhe kopertinës së revistës së famshme botërore “TIME”, e cila kishte vlerësuar që rrugëtimin e kosovarëve që i iknin forcave militare serbe ta rrëfente nëpërmjet këtij çasti. Vonë kuptuan që nënë e bijë ishin tashmë një pjesë e historisë së Kosovës.

“Ajo fotografi është gjithçka. Tregon sakrificën e jashtëzakonshme të nënës time, që më mbajti në gji me javë të tëra duke ecur maleve. Ajo është simbol i sakrificës së gjithë popullit tonë”, thotë Besa Luta.

Por fotografia kapi vetëm një prej çasteve të vështira të vuajtjeve të Sherifes, e cila me foshnjën 6 muajshe nisi luftën e saj për mbijetesë, që nga 8 marsi e deri në javën e parë të prillit.

“Në një moment, kur ishim të strehuar në një shtëpi me 300 refugjatë të tjerë, Besa nuk po qante më. Ajo kish ngrirë nga i ftohti dhe nuk kishte çfarë të pinte. U trembëm shumë. Në ato momente, kunata ime e merr vajzën dhe e fut në furrën për pjekjen e bukës, që të shkrinte. Në fakt, të gjithë mendonim se ka vdekur. Mund të kenë kaluar 10 minuta, kur befas Besa nisi të qajë. E nxorëm nga furra dhe i hodhëm sipër një batanije – të cilën e ruaj ende si kujtim. Duartrokitjet e njerëzve nuk kishin fund”, tregon mes emocioneve Sherife Luta.

20 vite më pas…

Nëse lindjen dhe fëmijërinë i ka dëgjuar si histori të rrëfyera nga e ëma, sot Besa jeton rininë e saj në një Kosovë të lirë.

“Kosova sot ka shumë probleme, por më e rëndësishme është se tashmë ajo është e pavarur dhe shpresoj që gjërat që aktualisht nuk funksionojnë, të përmirësohen me kalimin e kohës”.

Për të ardhmen ka shumë plane, e plani i parë është të kryejë studimet master. Besa nuk interesohet shumë për politikën në Kosovë.

“Kur jemi në fakultet, miqtë e mi flasin në pjesën më të madhe të kohës për politikën. Vetëm i dëgjoj dhe kam preferuar të mos përfshihem asnjëherë në debate të tilla”, tregon duke buzëqeshur. Ajo nuk e ka menduar asnjëherë të ndërtojë një jetë jashtë Kosovës. “

Kam shumë dëshirë të udhëtoj dhe të vizitoj vende të tjera të botës, por jetën dhe të ardhmen time i shoh këtu”.

Ajo do të jetojë e qetë në Kosovë, vendin të cilin e do aq shumë dhe që në mënyrë të rastësishme e përfaqëson gjithmonë – së bashku me të ëmën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN