MENU
klinika

Fjala e plotë

Haradinaj: Nuk lejojmë ndarjen e Kosovës, kufijtë nuk preken

16.04.2019 - 14:57

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë sot në tubimin përkujtimor për Dëshmorët e Kombit, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, Luan Nimanaj dhe Enver Haradinaj.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës tregoi nivel të lartë devotshmërie duke mbrojtur deri në fund popullsinë civile, e cila sulmohej pabesisht nga forcat e regjimit serb. Kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për çështjen e kufijve dhe të territoreve, teksa pohoi prerazi se nuk do të bëhet asnjë hap në këtë drejtim dhe tërësia territoriale e Kosovës nuk do të preket.

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:

Ju falënderoj për prezencën në nderim të dëshmorëve, heronjtë të Kosovës.

Nuk ka qenë traditë të mbahen fjalime në homazhe, por nuk kemi organizuar akademi për heronjtë dhe në shenjë kujdesi për të gjithë ju që keni ardhur, ju drejtohem me pak fjalë.

Është një mënyrë modeste, pa e ngarkuar më shumë secilin prej jush, që të jemi bashkë me ata që i kanë bërë nder kombit, nder atdheut, me heronjtë, që të jemi bashkë në vendin ku ata pushojnë, njëkohësisht, me familjet e tyre dhe më lejoni që t’i drejtohem familjes së Hasimit, Fatmirit, Luanit, Enverit, bacës Smajl, Shkëlzenit dhe gjithë të tjerëve.

Sot jemi në përvjetor të rënies heroike të Shkëlzenit, të Hasimit, të Fatmirit, Luani i plagosur nuk i mbijetoi plagëve, pra, Luan Nimanaj, edhe pse bashkëluftëtarët u munduan ta bartnin deri në shërim.

Ndryshe thënë, kjo ditë e ’99-tës ka qenë ditë e vështirë. Ishte një përpjekje e madhe për të shpëtuar jetë, forcat serbe kishin kaluar një gjah, jo një gjah ndaj UÇK-së, por një gjah ndaj civilëve. Një pjesë e madhe e familjeve ishin strehuar në një zonë e quajtur “Lugu i Duboçakës”.

Ne nuk kishim pozicione lufte atje, nuk operonim në atë pjesë dhe kur erdhi lajmi se forcat serbe kanë mësy në drejtim të Duboçakës, ku ishin shumë civilë, familje të fshehura, nuk kemi mundur të mos vepronim. Në fakt, nuk i kam caktuar dikujt detyrë, por i kam pyetur a ka ndokush që mund të shkojë për t’i dalë përpara forcave serbe që të mos i lejojnë me mbërri te ato familje, tek ata civilë, fëmijë, gra, që ishin strehuar në atë zonë të Kosovës.

Shkëlzeni tha po shkoj unë dhe menjëherë pas tij, janë lajmëruar ata që i ka pasur më afër çdo herë gjatë jetës së tij në luftë, pra, Fatmiri, Hasimi, Luani dhe djem të tjerë.

Kësisoj, në përballje, për të mos i lejuar forcat serbe me arrit te civilët shqiptarë të pambrojtur, në pozicione lufte, që kanë qenë të papërgatitura paraprakisht, të pastudiuara, pa asnjë plan, por vetëm të mos lejohet që të shkojnë tek civilët, kanë rënë heroikisht njerëzit më të shquar të UÇK-së, të cilët nuk kanë rënë në betejat tjera frontale, sepse në ato beteja ne i kemi prirë luftës, e kemi ditur si bëhet lufta, ndërsa këtu nuk kemi pasur kohë as të përgatitet ndonjë plan, por vetëm jemi detyruar në urgjencë, për shkak të civilëve, të dalim përpara.

Dua të theksoj këtë element, sepse është shumë i rëndësishëm. Pra, Shkëlzen Haradinaj si luftëtar, i cili ka pasur plot plagë, kurrë nuk e ka lëshuar Kosovën, ndër të parët që është plagosur prej ushtarëve të UÇK-së. Ai nuk do të ishte vrarë asnjëherë në luftë, edhe pse ka qenë trim, por arsyeja pse është vrarë, është se nuk kanë pasur kohë, janë detyruar të dalin në mbrojtje të civilëve.

Ky është një mesazh i kësaj beteje të ditës së sotme. Djemtë më të zot, luftëtarët më të zot, që kaluan mbi një vit lufte intensive nga 24 marsi, të mos flasim për periudhën përpara, 24 mars ‘98 dhe 24 mars ’99, asnjëherë pa u ndalë, pa e lëshuar vendbetejën dhe nuk janë vrarë këta djem, por janë vrarë, sepse nuk kanë pasur kohë, janë detyruar të dalin pa pozicion lufte, përballë forcave serbe, që të mos i lejojnë të arrijnë tek civilët shqiptarë.

Këtu janë dy porosi që dalin prej kësaj dhe që duhet t’i kuptojmë të gjithë ne.

E para është se UÇK-ja me kapacitete të limituara, por nuk e ka kursyer veten, nuk ka vepruar vetëm në bazë të planeve të luftës, por është detyruar të veprojë dhe të mbrojë civilë të pambrojtur. Do të ishte shumë më lehtë për Shkëlzenin, për Luanin, për Fatmirin, Hasimin e shumë të tjerë, vetëm të zgjedhin një betejë me forcat serbe, këta me zgjedh ku me u përballë me ata, dhe ju siguroj se ka pasur beteja deri atë ditë, por këta janë dalë fitues, e forcat serbe kanë humbur.

E vetmja arsye pse këta kanë rënë heroikisht është se janë detyruar pa planë lufte, pa asnjë përgatitje paraprake, pa asnjë mundësi reale të luftojnë, janë detyruar të dalin në vetëbetejë frontale dhe të luftojnë ballë për ballë, me luftua në afërsi, me harxhua municionin që kanë pasur me vete dhe të përdorin edhe thika dhe kësisoj kanë rënë.

Kjo është një e vërtetë e historisë sonë të lavdishme të UÇK-së që i bënë shqiptarët vërtetë të ndihen krenarë. Nuk është e vetmja, fatmirësisht kemi plotë beteja, plotë ngjarje të një lavdie të tillë.

Porosia tjetër që duhet ta dimë si shqiptarë e si Kosovës, është se ata që mundohen të mohojnë krimet që janë bërë mbi shqiptarë, edhe pse ne shqiptarët jemi popull i respektuar, por nuk duhet askush ta teprojë me ne. Ata që mendojnë se mund ta mohojnë dhe të ofendojnë dhimbjet, luftën, plagët, por edhe krenarinë tonë, sepse askush nuk ka të drejtë ta ofendojë krenarinë tonë, sepse nuk është krenari e falur, por që vjen nga jetët e djemve dhe vajzave më të mirë të atdheut, atëherë nuk i bëjnë mirë vetës, rajonit dhe më tutje.

Duke qenë kështu, unë dua të them për fund se jemi të vetëdijshëm se edhe në atë kohë ka qenë vështirë, edhe në atë kohë ka pasur keqkuptime, ka pasur agjenda të tjera, ose janë përzier agjendat ngapak. Unë e di se edhe në ditën e sotme plotë njerëz i përziejnë agjendat.

Vetëm një gjë dua t’ju them të gjithëve në këtë vend. Ne do ta qojmë Kosovën ku i takon, në familjen e popujve dhe shteteve, pastaj një Kosovë popull e shtet i pavarur e i anëtarësuar në OKB dhe në NATO le të vendos si do të sillet ndaj vëllezërve tjerë të vet, ndaj vëllezërve e motrave të vet shqiptarë, ndaj Shqipërisë, ndaj vëllezërve të tjerë, e mendoj se do të sillet si i takon dhe kurrë nuk do ta koritë vetën, por askush nuk do të mund ta ndalojë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve, një popull martir i Ballkanit.

Njëkohësisht nuk janë të vërteta ato goditjet që i japin nën brez plot në Kosovë. Nuk është e vërtetë që Kosova e ka falur Çakorrin, jo Ramushi, po Kosova, as Çakorrin, as Kullën. Ju e dini, ne shpesh nuk i kemi deklaruar gjitha rrjedhat e punëve që i kemi kryer. Shumë kujt këtu ju ka rënë befasi edhe ushtria kur ka ardhur punë e kryer, dhe shumë kanë menduar se është fjalë, gënjeshtër, punë në letër. Por, sot kemi ushtri. Nuk është falë Çakorri as Kulla, gënjeshtër është dhe gjithë ata që gënjejnë e dinë se po gënjejnë dhe këtë e bëjnë për arsye të ulëta.

Nuk do të lejojmë të ndahet Kosova, as të preken kufijtë e Kosovës, e as toka e territori i Kosovës. Kush shkon asaj rruge e ka gabim, qoftë vëlla i yni, qoftë tjetër.

Miqve u bëjmë thirrje, nuk keni aleatë më të fortë si shqiptarin në Ballkan, jemi properëndimor, euroatlantik, do t’i kryejmë punët e Kosovës.

Pushtetet shkojnë e vijnë. Unë i kam kaluar 12-13 vjet, jo në opozitë, jo pranë familjes, por i kam kaluar disa vjet edhe në burg. Kurrë nuk jam ligur dhe kurrë nuk kam bërë gabime në interes të atdheut, as unë e as familje ime.

Ata që po koriten shumë e kanë për vete, por do të vijë dita kur shumë prej tyre do të skuqen për ato që po i bëjnë e që janë të padrejta, në kohën kur po përballemi me Serbinë, me agjendat e Vuçiqit, me planet e tij për ta ndarë Kosovën, me planet e ndërkombëtarëve të tjerë për të na ulur kokën, goditjet që vijnë nën brez të vëllezërve dhe motrave tona nuk janë në rregull.

Duhet ta korrigjojnë vetën ata që e dinë si kemi ardhur deri këtu, sa vështirë ka qenë dhe çka na pret përpara. Nuk e kanë korrigjuar vetën as atëherë të gjithë, por e kemi përballuar edhe atëherë, do ta përballojmë edhe sot, do të ecim përpara.

Sot jam i nderuar me prezencën e të gjithë juve, por besoj se edhe unë dhe të gjithë ne kemi ardhur sot në nderim të atyre që janë nderi dhe lavdia e kombit tonë dhe në atë nder do të shërbejmë. Lavdi të rënëve të sotëm, lavdi të gjithëve!