MENU
klinika

"Katedralja e Parisit"

Hygoi do ta përshkruante me adhurim deri në fanatizëm

16.04.2019 - 18:56

Franca e ka rindërtuar katedralen e saj legjendare edhe më parë. “Notre Dame” ka kaluar shumë në 856 vite. Katedralja ka duruar një rikonstruktim të dobët, grabitjet revolucionare dhe një rrënim që e ka shkaktuar ndotja. Hitleri, dikur propozoi të shembej.

 

 

Të hënën, katedralja u përfshi nga flakët, duke bërë që spiralja qendrore të shkatërrohej. Shkalla e plotë e këtij dëmi kolosal duhet ende të përllogaritet, por presidenti francez Emmanuel Macron u zotua, se simboli i Parisit do të rindërtohet. “Notre Dame’ e Parisit është historia jonë”, – do të shprehej Presidenti Macron. “Epiqendra e jetëve tona. Është në shumë libra, piktura, ato që u përkasin burrave dhe grave franceze, madje edhe atyre të cilët, nuk kanë ardhur kurrë këtu.”

Franca e ka rindërtuar më parë. Në fillim të 1800-ës, “Notre Dame” ishte gjysmë e rrënuar, kur një shkrimtar përdori strukturën që po shkërmoqej, si sfondi i një prej veprave të tij më të mëdha, duke vënë në lëvizje një operacion shpëtimi, thuajse aq të madh sa edhe vetë ndërtimi i katedrales.

“Duhet një thirrje universale, për të ngritur Francën e Re në ndihmë të së Vjetrës”, – shkruante ai në një ese të titulluar “Guerre aux Démolisseurs” (“Luftë shkatërruesve”). Ai u deklaroi luftë shkatërruesve dhe synoi të shpëtonte arkitekturën mesjetare të Parisit.

 

 

Parizienët kanë pasur një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me katedralen e tyre – thotë Stephen Murray, historian arti dhe profesor në Universitetin Columbia, ShBA. – Kryesisht, si shkak i valës së interesit për librin, mendoj. Guri i parë i katedrales u vu më 1163-in, në prani të Papës Aleksandri III. Altari përfundoi së ndërtuari afro 20 vjet më vonë; dy kullat u ndërtuan mes 1225 dhe 1250-ës, ndërsa e gjithë katedralja përfundoi më 1345-ën.

Gjatë mbretërimit të Luigjit XIV (1643-1715), “Notre Dame” iu nënshtrua një rinovimi të pafat. Xhamat me ngjyra u zëvendësuan me dritare të tejdukshme, u shemb një shtyllë për të lejuar karrocat të kalonin përmes dhe u prish një altar i drunjtë.

Epoka e Revolucionit francez, ishte edhe më e rëndë për të. E plaçkitur nga revolucionarët, dhjetëra statuja u shkatërruan. Pallati i peshkopit u dogj deri në themele dhe nuk u ndërtua më kurrë. Spiralja u shkatërrua pas dëmtimeve nga era. Plumbi i tavanit u përdor për të bërë fishekë, ndërsa kambanat prej bronzi u shkrinë për topa. Katedralja iu rikthye Kishës Katolike nga viti 1802, por vijoi të rrënohej.

 

 

Atëherë, më 1831, shkrimtari Viktor Hygo, botoi romanin “Katedralja e Parisit”, historia e Kuazimodos, kurrizoja që ishte kambanari i katedrales, i cili u dashurua pas Esmeraldës së bukur.

Hygoi nisi ta shkruante veprën, më 1829-ën. Kuazimodoja kurrizdalë u bë legjenda e një zemre guximtare, që fshihet nën guaskën groteske. Ky personazh i nxit lexuesit të shohin përtej sipërfaqes dhe ta gjejnë bukurinë brenda njeriut, me shpresën se do të bënin të njëjtën gjë për “Notre Dame”.

Por përtej dashurisë së pamundur, “Notre Dame” ishte ylli i shfaqjes. Hygoi shkroi dy kapituj, thjesht duke e përshkruar atë. Kapitujt përshkrues në libër janë tejet të qartë, shumë të zgjatur dhe kalojnë përtej interesit për historinë dhe përpjekjet e Hygoit për ruajtjen e katedrales. – “Në këtë epokë, mendimet e shkruara në gur, janë absolutisht privilegj krahasuar me lirinë e shtypit. Është liria e arkitekturës” – shkruante Hygo, duke vlerësuar ndërtimin e saj.

 

 

Hygoi i vendosi ngjarjet e romanit më 1400-ën, në ditët e lavdishme për “Notre Dame”. Ai shkroi: “Është e vështirë të mos psherëtish, të mos indinjohesh, përpara degradimeve të panumërta dhe gjymtimeve, falë të cilave koha dhe njerëzit e kanë bërë të vuajë monumentin e adhuruar”.

Tanimë një roman klasik – me dhjetëra filma bazuar mbi të – ishte gjithaq një sukses, kur u publikua asokohe.

Befas, njerëzit nisën të shqetësoheshin sërish rreth shëmtisë në një prej ishujve të Parisit. Qeveria formoi Komisionin e Monumenteve Historike dhe më 1841, caktoi arkitektët Eugène Viollet-le-Duc dhe Jean-Baptiste Lassus, për ta kthyer “Notre Dame” në lavdinë e dikurshme. Lassus vdiq më 1857-ën, duke e lënë vetëm Viollet-le-Duc në përfundimin e punës. “Viollet-le-Duc duhet ta ketë jetuar dhe ndier deri ne frymëmarrje, atë ndërtesë” – thotë historiani Murray.

 

 

Pas disa dekadash, ai mbikëqyri rindërtimin e spirales, që u rishfaq nga punimet e gurit, rikthimin e statujave, ndërtimin e një sakristije të re, rivendosjen e dritareve me xhamat shumëngjyrëshe, shtimin e të famshmëve përbindësha, ndërtimin e organos së re dhe shumë detyra të tjera. U ripërkushtua më 31 maj, 1864 nga Arqipeshkvi i Parisit.

 

“Ajo që më magjepsjes… është fakti se, me të gjithë peripecitë që ka kaluar Franca: me revolucionin e 1848-ës, me Napoleonin e III, që u bë perandor –ata vazhduan të merren me restaurimin e saj, me një lloj qëllimi dhe unanimiteti deri në vetëmohim, çfarë nuk e sheh ditët e sotme”, – shprehet Murray.

 

 

Projektet restauruese kanë vijuar gjatë gjithë kohës. Në fakt, një tjetër kish nisur këtë muaj, i financuar kryesisht nga fondacioni “Miqtë e Notre Dame”, ku është anëtar edhe Murray. Ai tregon, se prej anëtarëve të tjerë të fondacionit ishte “në zi”, ditën e hënë.

Në mesjetë, mund ta besoje se Zoti dërgonte zjarr, për shkak se donte një katedrale më të mirë. Por, nuk mund të shpresosh për një katedrale më të mirë, në këtë pikë”, – thotë historiani. – “Pyetja është, sesi do të gjejmë burimet për të rindërtuar këtë?”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Zonja jonë do të qajë për ne"

Nostradamus e tha 500 vjet më parë