MENU
klinika

Kush ishte në të vërtetë ai?

Bram Stoker nën hijen e “Drakulës”

20.04.2019 - 11:16

“Janë ca mistere që njeriu vetëm mund t’i hamendësojë dhe, me kalimin e viteve, mund t’i zgjidhë veçse pjesërisht”.

Nëse në botën mbarë dihet qartazi se “Drakula” është një roman, të paktë janë ata që njohin emrin e autorit të kësaj vepre.

Bram Stoker (1847-1912), futet vërtet tek ata shkrimtarë që suksesi i punës së tyre e ka eklipsuar katërçipërisht.
Një anonimitet aspak i merituar, përderisa shkrimtari irlandez është jetëdhënësi i një prej miteve më të famshme në historinë e letërsisë dhe kinemasë: Drakula, personazhi i tij, i cili është shndërruar edhe në vetë prototipin e vampirëve.

Kush ishte në të vërtetë Bram Stoker? Disa e konsiderojnë si autorin e të vetmes kryevepër, të tjerë si një borgjez kryelartë viktorian, përkrahës i çmendur i censurës…
Bram Stoker lindi më 8 nëntor 1847, në Dublin të Irlandës, në një familje protestante të shtresës së mesme. Nëna ishte tejet e përfshirë në veprimtaritë bamirëse të qytetit. Ajo u kujdes për arsimimin e fëmijës, duke e nxitur veçanërisht në lexim. I ati, nëpunës, e kishte planifikuar tashmë të ardhmen profesionale të djalit të vetëm. Kaloi një fëmijëri me shqetësime shëndetësore, aq sa detyrohej që shpeshherë të ndërpriste edhe shkollimin. Adoleshent, përveç pasionit ndaj sporteve dhe aktiviteteve fizike, Stoker u zhyt gjithashtu edhe në botën e letrave. Poezia, sidomos ajo e amerikanit Walt Whitman, e tërhiqnin jashtëzakonisht, por edhe teatri kishte vendin e tij të veçantë. U diplomua shkëlqyeshëm në matematikë.

Stoker, i cili në vitet 1890 ishte një shkrimtar i pavarur i The Daily Telegraph, filloi të punojë rregullisht për gazetën si pjesë e stafit letrar nga viti 1905 deri në vitin 1910, kohë gjatë së cilës u mor kryesisht me komentet në lidhjet me fushën e teatrin për këtë gazetë. Po ashtu, ai ishte vizitor i shpeshtë i Shteteve të Bashkuara dhe u takua me presidentët Uilljam McKinli dhe Tedi Ruzvelt. Në udhëtimet e shpeshta takoi edhe shkrimtarin e tij të adhuruar, Walt Whitman. Ndër të tjera ai ishte edhe anëtar i Agimit të Artë në Outer, një shoqëri sekrete e themeluar në 1887. Të rrëmbyer nga e mistershmja, anëtarët lëvronin shkencat mistike dhe magjinë, duke pretenduar në veçanti trashëgiminë e Rosikruzës. Vepra e Bram Stroker “Drakula” doli nga botimi më 26 maj 1897.
Autori nuk kishte qëllim ta promovonte librin “Drakula” si letërsi artistike, por si një paralajmërim për një të keqe shumë reale, një makth i fëmijërisë shumë i vërtetë.

Metoda narrative e “Drakula” është grumbullimi i një kolazhi dokumentesh me domethënie autentike, shumica prej tyre në personin e parë. Pjesa dërrmuese e materialeve janë identifikuar si ekstrakte nga ditarët e personazheve kryesorë.

“Drakula është një personazh që i shpëton tërësisht kompetencave luciferiane, është më shumë një Krisht në kaos, më shumë një majmunëri e figurës së Krishtit sesa një rimishërim i figurës së djallit”.

Megjithëse, ka edhe rezerva! Në romanin “Drakula” të shkrimtarit irlandez, perceptohet një fytyrë krejt ndryshe: figura monstruoze e vampirëve, erotizmi i personazheve tregojnë një shpirt shumë më të trazuar. Pas kostumit të një konservatori konformist fshihet padyshim një qenie krejt tjetër. Autori vdiq më 20 prill 1912, shkaqet mbeten ende të paqarta.

“Drakula nuk ka ndërgjegje, sepse është veçse një impuls, është domosdoshmëria absolute për të ushqyer veten me gjak, gjithçka është iluzion, ajo çka mbizotëron tek ai është plotësimi i dëshirës, lakmi e pastër. Duhet të vampirizojë gjithë botën që bota t’i ngjasojë”.

Stokeri shkroi edhe romane të tjera, mes tyre “Misteri i Detit” (1902), “Xhevahir i shtatë yjeve” (1903), si dhe “Zonja me vel” (1909), por asnjëri prej tyre nuk iu afrua popullaritetit, më saktë, cilësisë së “Drakula”-s.

Një klasik i përsosur i letërsisë së vampirëve, më i shituri në të gjitha kohërat pas Biblës, “Drakula” është një burim i pashtershëm frymëzimi.

“Askush nuk mund ta dijë, përveçse pas një nate vuajtjesh, se sa i ëmbël mund të jetë mëngjesi”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe