MENU
klinika

Funerali i një ushtari

Rrihet lideri i opozitës turke gjatë një ceremonie mortore

21.04.2019 - 18:34

Udhëheqësi i partisë kryesore opozitare të Turqisë është sulmuar në funeralin e një ushtari të vrarë në luftën kundër militantëve kurdë.

Kreu i Partisë Republikane Popullore (CHP), Kemal Kılıçdaroğlu, u dërgua në një shtëpi të afërt nga forcat e sigurimit për mbrojtjen e tij, tha agjensia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Videoja e incidentit në mediat sociale tregoi një turmë që shtynte dhe po lëvizte rreth Kılıçdaroğlu ndërsa ai ecte përmes turmës. Partia e tij konfirmoi se Kılıçdaroğlu ishte sulmuar por nuk është bërë me dije nëse ai ishte plagosur.

Një grup i cili brohoriste me sloganin “Martirët nuk vdesin, atdheu nuk ndahet, mallkuar qoftë PKK-ja”, sulmuan me grushte dhe shqelma Kılıçdaroğlu-n.

Grupi protestoi kundër pranisë së Kılıçdaroğlu në funeralin në rrethin Çubuk të kryeqytetit, Ankara, dhe më pas e sulmoi, tha Anadolu.

Lideri opozitar i cili mbrohej nga njësia e operacioneve speciale, policia dhe xhandarmëria, pasi u mor nga zona, është dërguar në një shtëpi. Ndërsa përreth shtëpisë u krijua një rreth sigurie.

Celal Uzunkaya, drejtori i përgjithshëm i policisë, bashkë me pleqtë e fshatit me megafon u përpoqën që të qetësojnë grupin.

Më pas ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar arriti në shtëpinë ku ishte vendosur lideri opozitar. Gjithashtu edhe Akar kërkoi nga qytetarët që të qetësohen.

Kılıçdaroğlu pas rreth një ore u nxor nga shtëpia dhe u largua me anë të një automjeti të blinduar. Në të njëjtën kohë forcat e sigurisë morën masa sigurie.

“Janë marrë të gjitha masat e sigurisë në lidhje me Kılıçdaroğlu-n. Janë drejtuar forcat shtesë, tashmë nuk ka problem të sigurisë”, tha Vasip Şahin, guvernatori i kryeqytetit Ankara.

Prokurori i përgjithshëm i Ankarasë, Yüksel Kocaman, në deklaratën për AA tha se kanë nisur hetim në lidhje me rastin.

Ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, tha “Sigurisht që është i papranueshëm një incident i tillë në ceremoninë mortore të një martiri. Qoftë e kaluar”. Soylu tha se janë duke e ndjekur rastin.

Ndaj sulmit reagoi edhe ministri i Drejtësisë, Abdülhamit Soylu, duke theksuar se është e papranueshme që të ndodhë një incident i tillë në ceremoninë mortore të martirit.

“Mendoj se ata që e kanë bërë këtë janë brenda një provokimi. Jam i bindjes që të zbulohet edhe planifikimi pas kësaj”, tha kryeparlamentari i vendit Mustafa Şentop, gjatë vizitës së tij në Tekirdağ.

Zëdhënësi i Partisë AK, në pushtet, Ömer Çelik, ishte ndër zyrtarët e lartë që dënoi sulmin ndaj Kılıçdaroğlu-t. “Dënojmë çdo lloj akt të dhunës. Askush nuk ka të drejtë të dalë jashtë ligjit. Dhuna nuk është një mënyrë e kërkimit të së drejtës ose protestës. Përgjegjësit do të zbulohen dhe do të merren veprimet e nevojshme ligjore”, theksoi ai.

CHP muajin e kaluar fitoi në Ankara dhe Stamboll në zgjedhjet lokale. Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) e Erdoganit po apelon për një përsëritje të zgjedhjeve të Stambollit duke përmendur parregullsi në garën kundër kandidatit të CHP, Ekrem İmamoğlu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN