MENU
klinika

Martiri i gjuhës shqipe

A është i ndaluar nga kisha Petro Nini?

23.04.2019 - 14:23

Ata shkuan deri në atë pikë, sa çkishëruan patriotët ortodoksë si Papa Kristo Negovanin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, madje me dorën e tyre të përgjakur, ata vranë në mënyrën me çnjerëzore këta burra dhe dijetarë të mëdhenj të atdheut.

Petro Nini Luarasi u lind më 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Petroja është i biri i Nin Petro Kostallarit, veprimtar i madh i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog – Mësues i Popullit. Ishte nxënës në shkollën e Qestoratit të Koto Hoxhit. Pasi mbaroi shkollimin, Petroja punoi mësues i gjuhës greke në fshatrat e Kolonjës. Më vonë ai filloi t’u mësonte fshehurazi fëmijëve të shkruarit e gjuhës sonë të bukur shqipe. Ai me punën e vet atdhedashëse e të palodhur, nën udhëheqjen e Komitetit të fshehtë Patriotik të Korçës, përgatiti për mësues një grup shokësh dhe kështu, si rezultat i punës së tij me shokë, më 7 mars1887 hapën shkollën e parë shqipe në Korçës, mësuesi parë i së cilës, u emërua Pandeli Sotiri. Shkolla e parë shqipe e Korçës, ka rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe politike për të kaluarën dhe të sotmen e popullit shqiptar, rrugë kjo plot me sakrifica deri te ditët tona.

 

 

Dhespoti i Korçës, Filiothesos Konstandinidhis, po bënte plane për zhdukjen e Petro Nini Luarasit. Diku në fund të viti 1891, Petro Nini mori rrugë për Stamboll, Rumani e Bullgari për të mbledhur atje ndihma për mbajtjen e shkollës nga ana materiale. Atje takoi krerët e këtyre vatrave kombëtare, si vëllezërit Frashëri, Nikollë Naçon etj. Petro Nini nuk kishte lënë gur pa lëvizur në mënyrë që shkolla shqipe të ishte shembulli më i mirë i një fitoreje të plotë e me sakrifica mbi errësirën që po pretendonin ta mbanin grekomanët mbi popullin shqiptar.
Shkolla shqipe i vuri themelet kalasë së madhe të diturisë shqiptare. Më pas, duke parë suksesin e kësaj nisme të mbarë, shkollat shqipe u hapën edhe në Pogradec, në Tresekë, Polenë, Luaras, Ereskë, Leskovik, Elbasan etj. Petro Nini Luarasi kishte bërë një punë të veçantë për hapjen e këtyre shkollave, madje ai mbante tërë barrën e furnizimit të këtyre shkollave me libra shqip, që i sillte nga Bukureshti, por edhe me sigurimin e mjeteve material, në mënyrë që shkollat shqipe t’u mbijetonin katrahurave të kohës.

 

Mallkim-i-Shkronjavet-Shqipe-dhe-Cperfolja-e-Shqipetarit_logo (Nga: Shqiptar.Ortodokse.com)

 

Propagandës shoviniste të grekomanëve, Petro Nini Luarasi iu përgjigj në veprën e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe e ç’përfolja e shqiptarit”, ku pasqyron në mënyrë argumentuese, me dokumente konkrete, mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë.

Duke u ndeshur me realitetin, ai shkruante: “E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…, ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë dhe shpëtim që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij” (P.N.Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…)

Kjo vepër bëri që fundi i tij të ishte tragjik. Atë e helmuan qarqet shoviniste grekomane. Kjo vdekje, atëbotë i trazoi shpirtrat përparimtarë e liridashës të kohës. Për këtë rast makabër e të shëmtuar, shkruan edhe disa gazeta shqiptare, si edhe angleze e amerikane.
Me citimin e shkrimin e psalmeve në gjuhën shqipe në kishën e Luarasit, sigurisht në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin, Petro Nini polemizoi me vendosmëri dhe në mënyrë argumentuese edhe me dhespotin e Korçës, Grigorin, duke e vënë atë para sprovës së madhe të realitetit, ku secili popull ka të drejtën e vet për të jetuar i lirë, të ushtrojë lirshëm gjuhën dhe kulturën e vet, të kultivojë historinë dhe vlerat kombëtare. Ai gëzonte përkrahjen e pakursyer të patriotëve të kohës në rrethet patriotike dhe krahas me zbatimin e platformës kombëtare, Petro Nini Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane -moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve, ishte Gjerasim Qiriazi.

 

 

 

 

Për veprimtarinë e tij kombëtare Perandoria Osmane, e nxitur edhe nga qarqet ortodokse greke, atij i kishin bërë shantazhe të ndryshme. Mirëpo, kërcënimet nuk po e lëkundnin vendosmërinë e Petro Ninit, për përhapjen e gjuhës së bukur shqipe. Ata provuan ta blejnë edhe me para, por ai nuk u shit. Si e vetmja mundësi mbeti eliminimi fizik i tij. Fillimisht e burgosën, duke menduar se tani e kanë në dorë dhe do ta kushtëzonin me jetë. Mirëpo Petro Nini, diku në prill 1904, u arratis nga burgu ku e kishte mbyllur qeveria turke dhe u strehua në Shtetet e Bashkuara, si emigrant politik.
Në Amerikë, Petro Nini Luarasi zhvilloi një aktivitet të gjerë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Amerikë. Ai themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, udhëheqës i protestantëve shqiptarë atje, për të përhapur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët nga reaksioni shovinist ishin të tërhequr e të trembur për familjet e tyre në atdhe. Petro Nini Luarasi përçoi kudo tezën atdhetare: “Kombi mbi të gjitha”.

Më 1908 Petro Nini u kthye në Shqipëri, së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komitë për çlirimin e vendit. Në atë kohë u shpall Hyrieti dhe ai filloi veprimtarinë patriotike legale, duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë. Andartë grekë, duke parë se atë nuk e ndal gjë nga rruga e tij në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe, vendosën ta helmonin.

 

 

Petro Nini Luarasi vdiq më 17 gusht 1911, por vepra dhe puna e tij nuk do të vdesin kurrë, ai u përjetësua në veprën e tij të pavdekshme për hapjen e shkollës shqipe kudo në tokën shqiptare, ai mbeti i pavdekshëm me punën dhe porosinë e tij të vendosur: “Ruamani gjakun, se do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…” dhe “Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi!”. Shovinistët grekë bënë çmos për të ndalur vrullin e lëvizjes sonë kombëtare, për zhvillim dhe përparimin e arsimit shqip.

Ata shkuan deri në atë pikë, sa çkishëruan patriotët ortodoksë si Papa Kristo Negovanin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, madje me dorën e tyre të përgjakur ata vranë në mënyrën me çnjerëzore, këta burra dhe dijetarë të mëdhenj të atdheut.
Andartë grekë, më parë patën vrarë edhe Dhaskal Todhrin, patën helmuar Naum Veqilharxhin, Papa Totasin etj. Por, armiqtë e kombit tonë nuk arritën kurrë, as sot e gjithë ditën, të vrasin dëshirën e shqiptarëve për liri dhe përparim të vërtetë. Jo më kot thuhet se, sa më shumë ta shtypësh një popull, aq më i madh do të jetë shpërthimi i tij për liri. I tillë ishte atdhetari i devotshëm Petro Nini Luarasi, pishtar dhe margaritar i shkollës e gjuhës së bukur shqipe.

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe