Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ka mbledhur Task Forcën e bregdeti në Sarandë me qëllim marrjen e masave për sezonin turistik.
“Jemi në mes të prillit, në Sarandë, në zonën më turistike të vendit ku duam dhe kanë filluar të vijnë turistët e parë, ku duam dhe presim që të ketë kontrata që të fillojnë të paktën nga fillimi i majit dhe të mbarojnë në fund të tetorit dhe situata është realisht me shumë probleme përsa i përket pastërtisë, përsa i përket rregullave për të qenë një destinacion, me shumë probleme përsa i përket rregullave të menaxhimit të stacioneve të plazhit”-tha Klosi.
Ministri foli për situatën në Syrin e Kaltër, ku megjithëse ka nisur puna për pastrimin dhe rehabilitimin e territorit gjendja është larg zhvillimit të turizmit elitar.
Ministri kërkoi që institucionet të jenë në një front në këtë drejtim.
“Në qoftë se nuk është kjo përpjekje e përbashkët me bashkitë dhe me ju tur operatorët e Sarandës, kjo është përpjekje e dështuar. Pra, duhet ti ndajmë që tani problematikat që kanë të bëjnë me menaxhimin e sezonit turistik duke kërkuar që të bëjmë këtë task forcë në mënyrë urgjente. Prandaj e bëmë këtë vendim të ri të Këshillit të ministrave, i cili kërkon që të zgjidhë një sërë problematikash, por e para problematikë është ndarja e plazheve, në zbatim të këtij vendimi. Ruajtësi i plazhit është një element shumë i rëndësishëm për jetën e njerëzve, për të shtuar sigurinë në sezonin turistik. Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar se këto kontrata nuk mund të lidhen nëse nuk kanë dëshmi, që operatorët kanë zgjidhur problemin e ruajtësve të plazhit”-tha ministri i Turizimit.
Sipas tij, një tjetër problematikë, që duhet eliminuar këtë sezon të ri veror është edhe ndotja akustike.