MENU
klinika

Përmirësimi i shërbimit, reduktim drastik i ankesave

OSHEE: Ulen humbjet në 26,2%

25.04.2019 - 12:24

Të dhënat e 3-Mujorit të parë të vitit, publikuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike tregojnë se niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes ka zbritur në 26,2%.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton të jenë regjistruar 1,46% më pak humbje. Kujtojmë se në vitin 2014 kur nisi reforma në energji, 3-Mujorin e parë të vitit niveli i humbjeve shkonte në 44,12%.

Reduktimi i nivelit të humbjeve teknike dhe jo teknike, sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka ardhur si rezultat i investimeve të kryera në rrjetin elektrik por edhe mirëkordinimit të punës në terren për kontrollet dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.

Totali i Arkëtimeve ka pësuar një rritje të konsiderueshme në masën 4.6% krahasuar me një vit më parë ndërsa numri i abonentëve të rinj është shtuar me 2,3%. Në 3-mujorin e parë, të ardhurat nga arkëtimet janë 18.3 miliardë lekë me një përmirësim prej 816 milionë Lekë krahasuar me vitin e kaluar.

Borxhi i keq principal për fatura 2007-2014 është 44,3 miliard lek në fund Mars 2019, nga 67,8 miliard që ishte në fund të vitit 2014. Kjo nënkupton reduktim në masën 1,1% nga fundi i vitit 2018 ose 34,7% nga fundviti 2014.

Ky tregues është përmirësuar në saj të ndjekjes së debitorëve nëpërmjet proceseve të vazhdueshme ashtu sikurse edhe riaktivizimit të aktmarrëveshjeve.

OSHEE njofton se në periudhën Janar-Mars 2019 është regjistruar edhe një rënie e numrit të ankesave për faturim në masën 19,8% krahasuar me një vit më parë çka dëshmon për rritjen e cilësisë në shërbim dhe faturim.

Mesatarja e ankesave mujore në raport me numrin total të faturave të lëshuara është në nivelin e më pak se 0,6%

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN