5 shtatori, dita e “Shën Terezës”, është përshëndetur nga politikanët kryesorë shqiptarë. Të parët që kanë reaguar janë Presidenti i vendit, Ilir Meta, në një reagim në Facebook, si dhe kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një fjalë të mençur të shenjtores Nënë Tereza për të cilën thotë se e ka ndihmuar në të përpjetat e tatëpjetat e rrugës së tij. “Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”, është zgjedhja e kryeministrit nga qindra këshilla të shenjtores shqiptare.
Rama ka publikuar në vijimësi historinë e familjes së varfër nga Durrësi, e cila tashmë është larguar nga banesa e rrënuar dhe është vendosur në një shtëpi provizore deri në ndërtimin e shtëpisë së vjetër.
“MIRËMËNGJES
dhe në këtë ditë të bekuar të Nënë Terezës, e para fjalë që kujtoj prej saj, është fjala që më ndihmon shpesh në të përpjetat e të tatëpjetat e rrugës sime, “Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”.
Ditë të paqme?”, shkruan kryeministri.
Ndërsa Meta e quan atë shembull të jashtëzakonshëm të dashurisë pa kurrfarë kushti, dhe fton shqiptarët të ecin nën frymëzimin e saj.
Postimi i plotë
Dita e Shën Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë shqiptarët dhe botën katolike në tërësi!
Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore.
Dita e sotme, që shënon kremtimin e Shenjtërimit të saj, është një dite feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë.
Në shembullin e saj, kjo ditë na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë.
E bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë, me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj. Me mesazhin e saj nuk duhet të harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Le të na shërbejë kjo porosi e Shën Nënë Terezës, simbolit të çdo nëne shqiptare, si shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm, me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka bërë një mesazh për ditën ndërkombëtare të bamirësisë dhe shenjtërimin e Shën Nënë Terezës.
“Shën Tereza është legacia shqiptare më e madhe dhe më fisnike për qytetërimet e sotme dhe të ardhme; frymëzimi që na mëson dhe na nxit të bëjmë çdo ditë gjëra të vogla me dashuri të madhe; simboli që na tregon se madhështia është e thjeshtë dhe thjeshtësiaështë e madhërishme,” u shpreh Ruçi
“Sot është dita të reflektojmë se fryma e Shën Terezësduhet të përshkojë më shumë frymën e ligjeve tona përzhvillimin social dhe njerëzor, për mbrojtjen dhe shërbimet sociale, për kohezionin social e territorial, për të ndërtuar një shoqëri solidare, me punë e mirëqenie për të gjithë,” përfundon mesazhi i Kryetarit të Kuvendit.
M.H