MENU
klinika

Anketa, shkak paga e ulët

KE: Shqiptarët më të pakënaqurit e Europës me punën e tyre

01.05.2019 - 14:25

Shqiptarët janë më të pakënaqurit me punën e tyre në Europë. Shkak kryesor është paga e ulët. Por të pakënaqur me punën nuk janë vetëm shqipar por edhe pjesa dërmuese e banorëve të Ballkanit.

Ky është rezultati që ka nxjerrë Anketa e Cilësisë së Jetës e zhvilluar nga Komisioni Europian, e cila është kryer në vendet anëtare të BE-së dhe kandidateve për t’u anëtarësuar. Nga përgjigjet e të anketuarve në Shqipëri, niveli i kënaqësisë në punë është 6.8, ndërsa mesatarja e vendeve anëtare të BE-së është 7.4.

Kënaqësia në punë është më e ulët në Shqipëri për individët me të ardhura të ulët. Të ndarë sipas nivelit të të ardhurave ka rezultuar se individët me të ardhura të ulëta kanë një nivel kënaqësie 5, duke i bërë ata më të pakënaqurit e Europës, së bashku me grekët.

Edhe individët e pyetur që i përkisnin nivelit të dytë të të ardhurave kanë shprehur nivel të ulët të kënaqësisë në punë, duke shënuar rekord në Europë. Të pyeturit në vende të tjera, përfshirë edhe Greqinë kanë shprehur një nivel më të lartë kënaqësie. Kjo do të thotë se më pak të paguarit në Shqipëri nuk marrin kënaqësi nga punët aktuale ku janë.

Sipas gjinive, rezultatet e Anketës tregojnë se më të pakënaqur me punën e tyre aktuale janë burrat se sa gratë. Madje gratë në Shqipëri kanë raportuar një nivel më të lartë kënaqësie me punën e tyre aktuale se sa mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas grup moshës, më të pakënaqurit me punën aktuale janë individët që i përkasin grup moshës 35-49 vjeç.

Ballkani Europa Veriore

Rezultatet e anketës kanë treguar se më të pakënaqurit me punën e tyre aktuale janë vendet e rajonit, ku kryeson Greqia dhe Maqedonia, me një nivel kënaqësie 6.4. Mali i Zi dhe Turqia ka një nivel kënaqësie prej 6.6, ndërsa Shqipëria dhe Serbia 6.8.

Nivelin më të lartë të kënaqësisë me punën aktuale sipas Cilësisë së Jetës e kanë vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore. Në vend të parë renditen Finlanda dhe Austria kur të anketuarit kanë dhënë një nivel kënaqësie me punën aktuale prej 8.1 dhe 8 në Danimarkë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Projeksionet për ekonominë shqiptare

BB: Rritja ekonomike nuk shkon më shumë se 3.6%

Punësimi në të zezë

Raporti i BB për Shqipërinë