Gazeta franceze, “L’Intransigeant”, të mërkurën e 31 marsit 1937, ka botuar në faqe nr. 03 një shkrim në lidhje me vendimin historik të mbretit Zog, për heqjen e “çarçafit – ferexhesë” nga gratë shqiptare.
Si e priti Tirana këtë vendim dhe mbarë Shqipëria? Në vijim, gjeni shkrimin e plotë, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat- Albania:
Tirana, qytet i lumtur
Një vendim i Mbretit Zog, i cili është mirëpritur
(Nga i dërguari ynë special)
Tiranë, 30 mars.
“Shqiptaret e bukura, që prej katër ditësh, kanë zbuluar fytyrën. Mysliman besnik, por sundimtar modern, Mbreti Ahmet Zogu, në fakt, ka adoptuar nga Parlamenti një ligj që urdhëron gratë e mbretërisë së tij, të heqin dorë nga “çarçafi – ferexheja”, një zakon i vjetër i imponuar në shekullin e XV-të nga turqit, kur ata pushtuan Shqipërinë, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut.
Ky vendim ka ngjallur gëzim të madh, në të gjithë Shqipërinë: te gratë, së pari, të cilat janë, si të gjitha bijat e Evës, të lumtura që admirohen, si dhe te të gjithë të rinjtë.
Tirana është bërë papritur, një qytet i lumtur… Të qeshurat dhe rinia ndriçojnë çdo portret… Edhe të huajt, të kënaqur, zbulojnë bukuritë që nuk dyshonin…
Kudo, e miratojnë vendimin e sovranit – i cili qe bërë popullor, m 1 mars 1928, duke adoptuar nga Parlamenti, barazinë e të drejtave mes gruas dhe burrit.
Pa dyshim, që disa myslimanë të vjetër, të cilët kundërshtojnë modernizmin, protestojnë në rrugët e Tiranës, kur takohen me gra pa ferexhe, por ata janë vetëm një pakicë e vogël që nuk shqetëson asnjeri. Dhe bukuroshet shqiptare u përgjigjen atyre, nëpërmjet buzëqeshjeve më të lumtura.”