MENU
klinika

Meterlink nobelist i shumëfishtë

“Të gjallët janë të vdekurit me pushime”

06.05.2019 - 11:41

Inteligjenca është aftësia përmes së cilës kuptojmë, se çdo gjë është e pakuptueshme dhe që gjërat i shohim nga fundi i iluzionit njerëzor.

Çmimi “Nobel” që iu akordua Moris Meterlinkut në vitin 1911 ka një domethënie të shumëfishtë. Së pari, kurorëzon një vepër shumëplanëshe, që është poezi, teatër, ese dhe përkthim, që ka ndikuar personalitete të famshme si Rilke, Musil, Pessoa, Breton, Gracq dhe Artaud. Më pas, ai i kushtohet estetikës simboliste, e cila afirmohet dalëngdalë, midis dekadentizmit të Verlenit dhe metafizikës malarmeniane. Në fakt, edhe pse provincat belge kanë qenë gjithmonë të pranishme në aventurën kulturore franceze, duhet të presim gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë për të parë një literaturë edhe më të konsoliduar. Fillimisht nisi të shkruante tregime dhe poema, ku u përpoq të bashkonte aromën flamande dhe gjuhën franceze.

 

 

Meterlinku ka lindur në Ghent në 1862. Në vitin 1874 filloi studimet në kolegjin jezuit Sainte-Barbe, më pas vijoi kah drejtësisë. Shkrimtari i ri u ngulit në Paris, ku Villiers de l’Isle-Adam e orientoi drejt simbolizmit. Gjenialiteti i Meterlinkut shfaqet më 1889. Fillimisht me “Serrat e nxehta”, ku  në një univers statik dhe mbytës pasqyron pafuqinë e shpirtit, vepër e cila so shërbente si referencë për surrealistët, apo me celebrimin e shfaqjes së Octave Mirbeau, që do ta krahasonte autorin me Shekspirin. Sidoqoftë, me “Princesha Maleine” vjen edhe shkëputja nga konformizmi tetaral i kohës, duke hequr anekdotat dhe duke ndërtuar një botë të shurdhër dhe të dhunshme, të populluar me karaktere surrealë me gjuhë eliptike. Në vijim tri drama të të shkurtra, si “Furracakja” (1890), theksojnë shkëputjen e dramaturgjisë. Në të njëjtën kohë, Meterlinku u zhvendos drejt esesë. Metafizika tek “Thesari i të përulurve” (1896),  “Urtësia” dhe “Fati” (1898), përpiqet të lundrojë mes ankthit dhe jetës së përditshme, megjithëse është veçanërisht reflektimi i tij mbi ndërtimin shoqëror të botës natyrore, i cili i vesh autorit reputacionin e filozofit shpirtëror: feston unicitetin e universit tek “Jeta e bletëve” (1901), që do të kompletohet më pas me “Jeta e termiteve” (1926) dhe “Jeta e milingonave” (1930). “Thesari i të përulurve” shënon fundin e periudhës së simbolizmit, dhjetë vjet pas “Manifestit” të shkollës së re; njëherazi edhe viti i vdekjes së Verlenit.

Pas radikalizmit në dramat e para, të quajtura prej “teatër statik”, ai braktisi avantgardën dhe iu kushtua një pune më të prekshme. Tashmë nuk është më poeti dekadent i “Serrat e nxehta”, as dramaturgu i ankthit dhe vdekjes, por një mistik pa fe, amator i okultit, i cili përpiqet të zhvillojë zhanrin e  esesë, ku mund të trajtojë idetë që deri më tasni kishte mbrojtur teatri dhe poezia, subjekte të cilat Meterlinku i trajton si shkrimtar. Nëse ai flet për fetë, e bën për të treguar se të gjitha priren drejt të njëjtit qëllim. Nëse ai flet për filozofinë, e bën për ta risjellë në disa parime themelore. Ai është i pushtuar nga sugjerimi, e pathëna, okultizmi. Ajo çfarë Meterlinku merr veçanërisht nga autorët e tij të preferuar, si Shekspiri, është e ashtuquajtura errësira e tyre e ndritshme.

 

 

Megjithatë, proza ​​e tij është e rregullt, klasike, e balancuar. Paul Létautaud thoshte: “Ai ishte i vetmi simbolist belg, që dinte të shkruante mirë në frëngjisht. Është thjesht një shkrimtar i madh”. Proza e Meterlinkut është përzierje mbresëlënëse e misticizmit, okultizmit dhe interesit në botën e natyrës. Ato përfaqësojnë reagimin e përbashkët simbolist kundër materializmit, shkencës dhe mekanizimit dhe janë të brengosur me pyetje të tilla si pavdekësia e shpirtit, natyra e vdekjes dhe arritja e mençurisë.

Rainer Maria Rilke e përmbledh në një fjali të vetme atë donte të arrinte Meterlinku në shfaqjet teatrale: “Të flasësh për këtë jetë të padukshme, në mënyrë të dukshme”. Tek “Furracakja”  dhe “Brendësia”, na lejon të shohim shpirtin e njeriut në qasjen e vdekjes, kulmi i jetës sonë të vërtetë. Kapja e drithërimës së botës së brendshme, e papërfaqësueshme, ishte objekti i përhershëm i hulumtimit të poetit frankofon flamand në të gjithë punën e tij, ashtu si Monet, Carrière dhe Whistler deshën të zbulonin jetën e botës së brendshme shpirtërore në portretet dhe pikturat e natyrës. Vdiq në 6 maj 1949 në Nisë të Francës.

 

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


90-vjeçari multidisiplinar

I endur në shumë kombe e vepra


Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!