“Engjëll i paqes dhe dëshmore e kombit”, kështu e cilëson Kryemadhi efektiven Hasanaj në mesazhin e saj ngushëllues për familjarët dhe të afërmit.
Kryemadhi ka shprehur ngushëllimet për humbjen e jetës në detyrë të efektives, Zarife Hasanaj, e cila ndodhej në mision në Letoni.
Në një mesazh në Facebook, Kryemadhi ka uruar gjithashtu shërim të shpejtë për dy ushtarakët e tjerë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj, të cilët mbetën të plagosur gjatë këtij misioni.
“Me peshën e dhimbjes sa një mal, mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Zarife Hasanajt, vajzës me uniformën e shenjtë të ushtarakut shqiptar, dhe të plagosjes së major Klodian Tanushit dhe rreshter Julian Kapaj, teksa shërbenin në kuadër të misionit të NATO-s në Letoni!
Duke u bashkuar me dhimbjen e familjes së Zarifes, por edhe me dhembjen e të gjithë Forcave tona të Armatosura, iu shpreh atyre ngushëllimet e zemrës e të shpirtit si nënë e si grua, e lutem që Zoti t’iu japë forcë ta përballojnë dhimbjen e madhe për humbjen vajzës së tyre, e cila me aktin e vet heroik të rënies në krye të detyrës nën flamurin shqiptar në përbërje të forcave të NATO-s, bëhet engjëlli shqiptar i paqes dhe dëshmorja e kombit shqiptar në panteonin e dëshmorëve të NATO-s, duke na dëshmuar të gjithëve se edhe mbrojtja e paqes kalon përmes sakrificash sublime!
Lutem për të e shpirtin e saj. U prehtë në paqe e i ndrittë shpirti! Lutem edhe për dy ushtarakët e tjerë të plagosur që të shërohen sa më shpejt e të kthehen shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre! Shqipëria e të gjithë ne bashkë me dhimbjen, ndjejmë krenarinë që i japin flamurit tonë kombëtar dhe emrit të Shqipërisë bijat e bijtë e rritur me dashurinë për atdhe e pēr flamur! Zoti i bekoftë! ?”, shkruan Kryemadhi