MENU
klinika

Flet ministrja Balluku

OSHEE investim 1 miliard lekë në Tiranë

07.05.2019 - 12:35

Banorët e Tiranës edhe fshatrat përreth do të kenë një furnizim më të mirë me energji elektrike në saj të investimit rreth 1 miliard lekë që ka nisur tashmë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Investimi përfshin rikonstruksionin e afro 400 kabinave si dhe shtrimin e 10 fiderave të rinj nga nënstacionet Selitë dhe Traktora.

Investimi prek si tensionin e mesëm ashtu edhe atë të ulët ndërsa punimet pritet të përfundojnë para sezonit të dimrit të 2019-ës.

Përmes tyre synohet jo vetëm rritja e cilësisë së furnizimit me energji elektrike por edhe ulja e humbjeve në rrjet.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e Operatorit të Energjisë Elektrike, Adrian Çela, kanë inspektuar punimet që po kryhen për këtë projekt në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet.

Drejtori i OSHEE-së Tiranë, Klevis Jahaj, bëri të ditur se kabinat ku po ndërhyhet janë ndërtuar kryesisht gjatë viteve ’90-të dhe prej vitesh nuk është bërë asnjë investim në to.

Gjithashtu sipas Jahaj, në saj të 10 fiderave të rinj që do të shtrihen në dy nënstacionet, do të bëhet e mundur normalizimi i mbingarkesës gjatë sezoneve të pikut.

Ky investim kap vlerën e 1.1 miliardë lekëve dhe përfshirën rreth 250 mijë abonentë të OSHEE-së të cilët do të përfitojnë nga ky investim dhe normalisht do të ndikojë qoftë në cilësinë e furnizimit me energji elektrike por gjithashtu dhe në tregues të tjerë, atyre të humbjeve.

Gjithashtu 10 fiderët e rinj të cilët po shtohen nga nënstacioni i Selitës dhe ai i Traktorit do të bëjnë që të normalizojë mbingarkesën që kanë fiderat aktual në momentet e pikut”, tha Jahaj.