MENU
klinika

"Europa njësh"

Bashkë por të ndryshëm

09.05.2019 - 13:17

Pikërisht në këtë datë, ministri i Jashtëm i Francës i konsideruar si babai i Bashkimit Europian, Robert Shuman, u bëri thirrje vendeve të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra-tjetrën, si Franca, Gjermania dhe vende të tjera, të bashkonin prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut për të krijuar një institucion evropian përmbi atë kombëtar. Qëllimi i paraqitur nga politikani Shuman, ishte që ky institucion evropian i përbashkët të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, që në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake. Vite më pas, në 1985, Samiti i Milanos e shpalli 9 majin, si “Ditën e Europës”.

 

 

Në deklaratën e 9 majit të vitit 1950, Robert Shuman u shpreh:“Paqja botërore ka nevojë për përpjekje kreative, pasi vetëm kështu mund të arrihet qytetërimi dhe të ruhen marrëdhëniet paqësore. Arritjet konkrete do të realizojnë një solidaritet ‘de facto’.

Kjo do të jetë rruga që Europa do të ndjekë përgjatë ndërtimit të saj, pasi ajo nuk mund të ndërtohet bazuar në një plan të vetëm, apo në një kohë të shkurtër. Bashkimi i prodhimeve të qymyrit dhe çelikut duhet të mundësojë hedhjen e menjëhershme të themeleve të përbashkëta për zhvillim ekonomik, si hapi i parë për një federatë evropiane dhe kjo do të ndryshojë fatin e atyre rajoneve që i janë dedikuar për shumë kohë prodhimit të municioneve të luftës dhe në fund, kanë rënë viktima të produkteve të veta. Prodhimi do t’i ofrohet të gjithë botës, pa pasur dallime apo përjashtime, duke dhënë kështu kontributin në rritjen e standardeve të jetesës dhe zhvillimin paqësor mes vendeve.

 

 

 

Detyra e Autoritetit të Lartë do të jetë që në kohën më të shkurtër të mundshme, të bëjë të mundur modernizimin e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së tij; furnizimin me qymyr dhe çelik të tregjeve franceze dhe gjermane, si dhe vendeve të tjera anëtare sipas dispozitave të njëjta; zhvillimin e përbashkët të eksporteve drejt vendeve të tjera; barazimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së punëtorëve në këto industri. Për arritjen e këtyre objektivave duhet të ndërmerren disa hapa, si: zbatimi i një plani të mirëfilltë të prodhimit të propozuar do të përbëhet nga individë të pavarur, të caktuar nga qeveritë, në nivele përfaqësimi të barabarta. Një kryetar do të zgjidhet me marrëveshje midis të gjitha qeverive. Vendimet e Autoritetit do të jenë të detyrueshme për t’u zbatuar në Francë, Gjermani dhe vende të tjera anëtare. Gjithashtu, do të sigurohen masat e duhura për procedura apelimi kundër vendimeve të Autoritetit.”

Kjo ishte deklarata e franko-gjermanit Robert Shuman, i cili, së bashku me Zhan Mone, njihet si një nga themeluesit kryesorë të projektit më të madh evropian. Shuman nuk luajti rol të rëndësishëm vetëm në politikën franceze, por edhe më gjerë.

 

 

Gjatë karrierës së tij, ka patur disa role si: ministër i Financave, kryeministër i dy kabineteve franceze, ministër i Punëve të Jashtme në kabinetin pasardhës, ministër i Drejtësisë apo president i Asamblesë Parlamentare. Ideja kryesore e Planit të Monesë dhe Shumanit ishte që nëpërmjet administrimit të përbashkët të industrisë së çelikut dhe karbonit të Francës dhe Gjermanisë, të hidheshin bazat e një bashkimi të vendeve evropiane, bashkim i cili do të shënonte fillimin e një epoke të re paqeje, prosperiteti dhe zhvillimi në kontinentin e vjetër. Për rolin dhe kontributin që dha, ai konsiderohet si një nga “baballarët” e Europës.

Kështu, 9 maji shënohet si një nga simbolet e BE-së, krahas monedhës së euros, flamurit apo himnit. Motoja e BE-së është “bashkë, por të ndryshëm”. Kjo do të thotë, se europianët duhet të jenë të bashkuar në përpjekjet e tyre të përbashkëta për paqe dhe drejtësi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës

Kadare dhe intelektualët paralajmërojnë

“Evropa do të zhduket nën dallgët e populizmit”


"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe