MENU
klinika

Dita e Evropës

“Makthi i Ramës”/ Basha: Një reformë e thellë politike, të përmbysim krizën

09.05.2019 - 17:27

Kryedemokrati, Lulzim Basha nga Gjirokastra tha se Dita e Evropës, është dita e të gjithë shqiptarëve, por jo e Edi Ramës dhe autokratëve të lidhur me krimin.

Ai deklaroi se vendit i duhet një reformë e thellë politike, e cila do t’i japë të gjithë forcën votuesit shqiptar dhe jo krimit të organizuar.

Sipas liderit të selisë blu, beteja e Partisë Demokratike nuk është për karrigen personale, por shtoi se në thelb ajo synon përmbysjen e krizës, e cila ka pllakosur çdo qytet të Shqipërisë.

“Sot në ditën e Europës nuk është koha për të bërë përbetime fallco të Edi Ramës, Europa është armiku numër një i autokratëve të lidhur me krimin. Sot Dita e Europës është dita e të gjithë shqiptarëve, por nuk është dita e Edi Ramës por është makthi i Edi Ramës dhe makthi i hajdutëve që e shoqërojnë atë.

Vetëm një transformim i thellë do ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Dua tu them tellallëve dhe haberxhinjve të Edi Ramës, se në këtë betejë nuk jemi futur për karrige, por duam që ky depresion ku e futi Edi Rama vendin, jo thjesht të kapërcehet, por të lihen prapa një herë e mirë dhe ndaj na duhet një reformë e thellë politike, që pas përfundimit të kësaj, që fati i çdo politikani të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht nga vota e qytetarëve”-tha Basha.

Basha tha se do i jepet fund emigracionit të të rinjve, falë programit që parasheh PD.

Basha nënvizoi se për fat të keq Gjirokastra sot përbën zonën ku emigracioni ka marrë hov më tepër se kudo e se kjo do marrë fund njëherë e mirë.

“Rama e ka sjellë Shqipërinë në kolaps. Ky kryeministër është fajtor që e ka sjellë Shqipërinë në prehrin e krimit. Ne kemi planin tonë kombëtar ekonomik. Do të ulim çmimin e energjisë elektrike. Do të mbështesim me subvencione fermerët shqiptarë, në mënyrë që ata të përfitojnë realisht.

PD ka një program të qartë për rritje pensionesh dhe pagash. Pensionet do të jenë në vlerën e 250 mijë lekë të vjetra, ndërsa pagat e mjekëve do të bëhen 1200 euro, e ata të infermierëve 800 euro. Kjo do të bëjë që mjekët dhe infermierët të mos braktisin vendin. Do i japim fund braktisjes së vendit dhe rinia do të ketë mundësi për të krijuar të ardhmen në vendin tonë kaq të bukur. Demokratët janë të vendosur të mbrojnë pronën dhe dinjitetin e çdo shqiptari”, deklaroi Basha.