Policia e Tiranës ka dhënë leje për protestë deri në 20:30, por pavarësisht kësaj Partia Demokratike deklaron se nuk e njeh më atë institucion.
PD bën me dije se pas përplasjes me banorët e Astirit si edhe arrestimit të ish-deputetit Balliu, nuk e njeh më si institucion Policinë e Tiranës.
Sipas PD-së, kërkesa për leje për të protestuar deri në mesnatë është dorëzuar ndryshe nga herët e tjera pranë komisariatit nr. 1 në Tiranë.
Sakaq forca të shumta policie kanë ‘zbarkuar’ në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke krijuar perimetrin e sigurisë, për mbarëvajtjen e protestës.
Janë rreth 1500 forca policore që do të angazhohen për ruajtjen e rendit e sigurisë gjatë protestë, krahas forcave të rendit, në terren do të jenë gjithashtu efektivë të RENEA-s, FNSH e Gardës së Republikës.