MENU
klinika

Cfarë po ndodh ?

Shtatë orë pas protestës, Arta Marku mbërrin në kryeministri

12.05.2019 - 10:38

Makina e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku është parë të hyjë mëngjesin e sotëm në godinën e kryeministrisë.

Fotot e mjetit me targe AA747VA, i cili i përket kryeprokurores janë shkrepur rreth orës 9 të mëngjesit të së dielës, vetëm 7 orë pas mbylljes së protestës së mbrëmshme të opozitës së bashkuar, e cila u shoqërua me tension të lartë.

Bombat molotov, mbi fasadën e kryeministrisë, kryesisë së Kuvendit dhe më pas në zonën e parlamentit, flakadanët dhe përballjet e protestuesve me gazin lotsjellës të lëshuar nga Policia e Forcat Speciale, numëruan rreth 15 efektivë të dëmtuar dhe të paktën 50 protestues të ndaluar e shoqëruar nga uniformat blu.

Mes tyre për disa orë edhe sekretari organizativ i PD, Sahit Dollapi. Ky i fundit u godit barbarisht me shkopinj gome nga Forcat Speciale pasi ishte rrëzuar në tokë.

Makina e Arta Markut është parë të hyjë në kryeministri nga hyrja që përdoret zakonisht për delegacionet.

Nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e kësaj vizite dhe nëse zonja Marku është takuar me kryeministrin apo sekretarin e përgjithshëm te Kryeministrisë.