MENU
klinika

Konsumuan 46 për qind më shumë internet

Statistikat/ Shqiptarët gjithë ditën në celular

06.09.2018 - 08:33

Mesatarja e internetit të konsumuar për çdo përdorues aktiv të një numri celular në tremujorin e dytë të këtij viti ishte e barabartë me dërgimin e 3 mijë email-eve apo navigimin pa ndërprerje për 60 orë.

Të dhënat e fundit të AKEP tregojnë se në periudhën prill-qershor të këtij viti, mesatarisht çdo shqiptar konsumoi 2.85 Gigabajt internet, që përkon pikërisht me treguesit e mësipërm, ndërkohë që në rritje ishte edhe sasia e minutave të shpenzuara për të komunikuar nga celulari, si dhe numri i mesazheve.

Në raport me një vit më parë, në tremujorin e dytë të 2018 ka pasur rënie të kohës së komunikimit përmes një aparati celular si dhe të numrit të mesazheve, ndërkohë që krejt e kundërta ka ndodhur me internetin që është rritur gati 50%. Sipas AKEP, totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T2 2018 ishte rreth 1.6 miliardë minuta, me një rritje prej 2.1% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 8.4% me T2 2017.

“Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T2 2018 ishte rreth 15 milionë GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 2.85 GB internet në muaj në T2 2018, që përbën një rritje me 7.2% në krahasim me T1 2018 dhe një rritje 46.2% krahasuar me T2 2017.

Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T2 2018 ishte: 197 minuta dalëse, 40 SMS dhe 2.85 GB Internet. Krahasuar me T1 2018, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rritje me 8.6%, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rritje respektivisht me 6.6% dhe me 7.2%” thuhet në raportin e AKEP ku jepen statistikat për periudhën prill-qershor, shkruan monitor.

Interesi në rritje për internetin shihet edhe nga mundësimi i tij përmes rrjetit të telefonisë fikse. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i pajtimtarëve me akses Broadband në internet nga rrjete fikse në T2 2018 arriti në rreth 320 mijë, që përbën një rritje me 2.1% në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe një rritje me rreth 14.8% në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2017.