Situata politike në vend dhe skenaret e dhunshme të opozitës në protesta kanë sjellë reagime të shumta.
Gjatë ditës së sotme një reagim ka pasur edhe një reagim nga Kisha Katolike.
Kisha Katolike e Shqipërisë ka bërë thirrje që palët të ulin armët e konfliktit dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Mes tjerash, në deklaratën e Kishës Katolike të Shqipërisë drejtuar palëve politike theksohet se dhuna e përsëritur ditët e fundit është shqetesuese dhe se askush nuk kujtohet për qytetarët dhe Policët, të cilët sipas saj janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë.
“Fatkeqësisht kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur kohët e fundit. Por, ç’është më e keqja, askush nuk kujtohet që, qoftë protestuesit e qoftë punonjësit e policisë janë njerëz, etër, bij e pjesë e familjeve të thjeshta shqiptare”-thuhet mes tjerash.
Deklaratë e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për situatën aktuale në vendin tonë:
Të mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të Pesëdhjetepestë të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë në datat 13-14 maj e duke ndjekur me shqetësim e keqardhje të madhe situatën aktuale që po kalon vendi ynë, ne ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë deklarojmë sa më poshtë:
U bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë në Shqipëri, në mënyrë të veçantë liderëve të dy partive të mëdha: Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që të ulin armët e konfliktit, sikurse janë gjuha urrejtjes dhe arroganca, e të gjejnë me patjetër rrugën e dialogut. Të nxiten me këmbëngulje qytetarët që të heqin dorë nga çdolloj forme dhune dhe vandalizmi. Kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do atdheun! Në këtë situatë, ne, me vendosmëri i themi JO DHUNËS, qoftë kur vjen nga protestuesit e qoftë kur është shprehje arbitrare e institucioneve.
Fatkeqësisht kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur kohët e fundit. Por, ç’është më e keqja, askush nuk kujtohet që, qoftë protestuesit e qoftë punonjësit e policisë janë njerëz, etër, bij e pjesë e familjeve të thjeshta shqiptare.
Ne, duke u bazuar në doktrinën shoqërore të Kishës dhe në traditën e Kishës Katolike në Shqipëri, do të jemi gjithmonë në anën e njerëzve të thjeshtë dhe të jetës së përditshme që duan të jetojnë të qetë, të çliruar nga sundimi i dhunës, i korrupsionit, i kriminalitetit, i papunësisë e i detyrimit të largimit nga vendi për kushte më të mira. Këto janë problemet e mëdha që pozita dhe opozita duhet të diskutojnë së bashku për të gjetur zgjidhjet e duhura duke kërkuar të mirën e përbashkët që ka përparësi mbi të mirën e partisë.
Ne jemi dhe do të jemi për një Shqipëri demokratike, ku institucionet respektohen dhe ku institucionet e njerëzit që i kryesojnë ato, respektojnë popullin e ligjet dhe punojnë për të gjithë e jo vetëm për pak njerëz.
Ne jemi dhe do të jemi për respektimin e parimeve të demokracisë dhe lirinë e popullit që të zgjedhë përfaqësuesit e tij dhe këta të fundit të punojnë për të mirën e të gjithëve.
Ne nuk jemi për asnjë parti politike dhe nuk mbajmë anën e askujt, por jemi të gatshëm të punojmë me gjithkënd në të mirë të vendit dhe të popullit tonë, në respekt të parimeve shpirtërore, kushtetuese dhe ligjore.
Në situatën aktuale nuk ka kohë më për të humbur, sidomos për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.
Të mendojmë për të rinjtë tanë dhe të punojmë për përfshirjen dhe punësimin e tyre në bazë të meritave, pa humbur kohë. T’i japim hov fuqisë shndërruese që ka energjia e tyre rinore. Mos t’ua prishim ëndrrat. Mos ta çojmë vendin drejt vetëvrasjes, por drejt rritjes dhe promovimit të së mirës dhe të së bukurës.
Përsërisim bashkë me partnerët tanë evropianë se është koha e duhur që t’i dërgojmë botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe ne shqiptarët jemi të aftë për t’i zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Ne jemi lutur e do të vazhdojmë të lutemi për vendin tonë, për familjet, për të rinjtë e të rejat dhe për ata që kanë përgjegjësi politike, që Hyji i Mirë t’ua shndrisë mendjen e të gjejnë rrugën e dialogut e të mirëkuptimit.
Tiranë, 14 maj 2019
Festa e Shën Matisë, apostull