MENU
klinika

Detajet

Humbi jetën në Letoni/ Trupi i major Tanushit mbërrin nesër në atdhe

14.05.2019 - 17:34

Trupi i pajete i major Tanushit pritet të mbërrijë ditën e nesërme rreth orës 12.45, me avionin ushtarak në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Homazhet për Dëshmorin e Atdheut major Klodian Tanushi dhe më pas Ceremonia Shtetërore, do të zhvillohen ditën e enjte, datë 16 maj, ora 10:00 – 12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar.

Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, arkivoli me trupin e major Tanushit do të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do t’i jepet lamtumira e fundit.

Në nder të major Tanushit, në grup-batalionin e NATO-s në bazën Adazi, ku shërben kontingjenti shqiptar është zhvilluar një ceremoni nderimi.

Ndërsa në ambasadat shqiptare në SHBA, Kanada, Kosovë, Rumani, Turqi, Bullgari, Itali, etj, është çelur libri i ngushëllimeve për të dy efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare, të rënë në krye të detyrës, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife, të cilët humbën jetën për shkak të një shpërthimi, javën e kaluar në Letoni.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Mbrojtjes i Letonisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, vizitoi Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, ku la shënimin e tij në librin e ngushëllimeve për dy efektivët.

Në librin e ngushëllimeve në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, ndër të tjerë, kanë lënë shënimet e tyre edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj si dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha.