Një bandë kriminale ndërkombëtare e cila përdori viruse kompjuterike për të vjedhur 100 milion dollarë u çmontua në një operacion të koordinuar nga Europoli, në SHBA, Bullgari, Gjermani, Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Grupi infektonte kompjuterët e viktimave dhe më pas vidhte kredencialet e llogarive bankare.
Autoritetet në gjashtë vende kanë çmontuar një bandë të krimit kibernetik që përdori viruse kompjuterike për të vjedhur rreth 100 milionë dollarë nga individë dhe biznese. Agjencia europiane e policisë Europol, tha të enjten se rrjeti keqbërës “GozNym” akuzohet për sulmin kibernetik të mbi 41 mijë viktimave dhe për pastrimin e parave të vjedhura në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.
Të akuzuarit u zbuluan pasi i kishin paraqitur aftësitë e tyre të vjedhjes në një forum rus me profil teknologjik. Detajet e operacionit u zbuluan në selinë e Agjencisë Europiane të Policisë Europol në Hagë. Prokuroi amerikan Scott Brady tha se hetimi i realizuar nga agjencitë e disa vendeve ishte i pashembullt, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Ndaj dhjetë prej pjesëtarëve të grupit kriminal është ngritur akuza e komplotit për vjedhjen e kredencialeve të llogarive bankare në internet.
Veç, ShBA-së, ndjekja penale ka filluar gjithashtu në Gjeorgji për kreun e grupit kriminal, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur ende. Në lëvizje janë vënë gjithashtu autoritetet e Moldavisë, Ukrainës, Bullgarisë dhe GJermanisë. Sipas prokurorit amerikan pesë shtetas rusë, ndaj të cilëve janë ngritur akuzat, janë ende në arrati.