Zhvillimet në veri të Kosovës kanë shqetësuar edhe misionin e OKB-së në Kosovë.
Përmes një deklarate për mediat, UNMIK bëri me dije se një nga të arrestuarit, punonjës i UNMIK me shtetësi ruse është liruar edhe është dërguar për trajtim në spital.
Edhe punonjësi tjetër i arrestuar ndodhet në trajtim mjekësor. Nuk dihet ende nëse ai është ngarkuar me ndonjë vepër penale.
Sakaq, i pyetur zëvendëszëdhënësi i OKB, Farhan Haq konfirmoi se njëri nga punonjësit e UNMIK të arrestuar në Kosovë është rus, kurse tjetri kosovar.
Haq tha se të dhëna për trajtimin e dy të arrestuarve nga policia do të jepen më vonë. Ai paralajmëroi se nëse stafi i OKB në Kosovë do të preket më tej, do të ndërmerren hapa të tjera diplomatike dhe juridike në nivel vendas dhe ndërkombëtar.
Ndërkohë, ditën e sotme kryeministri Ramush Haradinaj bëri me dije se shtetasi rus i arrestuar në veri do të shpallet ‘Non Grata’.