Duke folur në takim sekretari në detyrë amerikan i mbrojtjes Patrick Shanahan e bëri përgjegjëse Kinën për destabilizimin e disa rajoneve të Azisë
Shanahan nuk e përmendi drejtpërdrejt Kinën kur akuzonte “aktorët” destabilizues të rajonit, por vazhdoi të thoshte se Shtetet e Bashkuara nuk do të injoronin sjelljen kineze.
“Ndoshta kërcënimi më i madh afatgjatë për interesat vitale të shteteve në të gjithë rajonin vjen nga aktorë të cilët kërkojnë të sulmojnë, në vend që ta mbështesin, rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Shanahan në mbledhjen më te madhe te sigurisë.
“Ne nuk do të injorojmë sjelljen kineze” tha Shanahan më vonë. Ai tha se ishte në interes të Pekinit të kishte një marrëdhënie konstruktive me Shtetet e Bashkuara.
Dhe ai paralajmëroi: “Sjellja që shkatërron sovranitetin e kombeve të tjera dhe mbjell mosbesim ndaj qëllimeve të Kinës duhet të përfundojë.
Fjalimi i parë i madh i Shanahan që nga marrja e detyrës si sekretar i mbrojtjes në janar erdhi pasi Shtetet e Bashkuara dhe Kina vazhdojnë një luftë tregtare.
Shanahan tha se nuk e shihte mosmarrëveshjen aktuale tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara si një luftë tregtare, por thjesht një pjesë e negociatave tregtare.
Shanahan gjithashtu tha se gjiganti i teknologjisë Huawei ishte shumë pranë qeverisë kineze dhe shtoi se Uashingtoni është i shqetësuar ndaj sulmeve kibernetike dhe vjedhjes së pronësisë intelektuale.
Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Huawei-n për spiunazh, thyerjen e sanksioneve tregtare ndaj Iranit dhe vjedhjen e pronësisë intelektuale, akuza që mohohen nga kompania.
Por mosmarrëveshjet për gjigantin e teknologjisë Huawei nuk janë të vetmet. Prej vitesh Uashingtoni është i shqetësuar për veprimtarinë e Pekinit në Detin e Kinës Jugore, i cili pretendohet tërësisht nga Kina dhe është rrugëkalimi kryesor i mallrave në botë.