Teksa ka folur për televizionin publik vendas, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç hodhi dyshime në lidhje me Samitin e Parisit që do të mbahet në fillim të Korrikut.
Vuçiç tha se sipas tij aktorë të jashtëm po ndërhyjnë në bisedimet dypalëshe me Prishtinën, në dëm të interesave të Beogradit.
Vuçiç:“Kam informacione që Uashingtoni ka qenë i përfshirë në temat që ne dhe kosovarët do të diskutojmë në Paris. Nëse shohin se edhe ky samit nuk do të prodhonte rezultatin e dëshiruar, Parisi mundet edhe të mos mbahet.”
Vuçiç shtoi se acarimet e fundit me Kosovën do të trajtohen edhe më 10 qershor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por pranoi se takimi në Paris do të ishte më i rëndësishëm për Beogradin.
Presidenti serb theksoi se kompromisi mes palëve nuk ka për t’u arritur për sa kohë Kosova i qëndron bindjes se Serbia duhet ta njohë pavarësinë pa ofruar diçka në këmbim.
Vuçiç: “Ata thonë se “Kosova është e pavarur brenda këtyre kufijve” dhe unë në Paris do të përsëris se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Atëherë çfarë duhet të bëjmë. Bota është lodhur me këto qëndrime.”