MENU
klinika

Kërkesa

Ndryshon Kodi Zgjedhor? Pendarovksi propozon model të ri

09.06.2019 - 16:33

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar nga partitë politike që të diskutojnë mundësinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor në sistem proporcional me më pak njësi zgjedhore dhe me lista të hapura, si dhe pa prag zgjedhor apo me një prag të minimal të votave të nevojshme, në funksion të zgjerimit të përfaqësimit politik në Kuvend.

“Një model i ri zgjedhor do të mundësonte qytetarëve që të zgjedhin jo vetëm parti politike, por edhe kandidatët. Zhvillimi demokratik, sundimi i së drejtës dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike janë faktorë i rëndësishëm i prosperitetit të vendit tonë”, thuhet në një njoftim nga kabineti i presidentit.

Nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev e kanë mirëpritur një propozim të tillë, duke theksuar se kjo është edhe pjesë e programit të saj politik.

“Për një propozim të ngjashëm kemi folur para zgjedhjeve të vitit 2016 kur ishim në opozitë. Kjo është pjesë e programit tonë zgjedhor. Parimi i një njësie zgjedhore e forcon votën e qytetarëve, sikur edhe propozimi për lista të hapura”, ka deklaruar Lupco Nikollovski, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja e opozitës ka thënë se qëndrimin e saj do të bëjë të ditur pasi të ketë një propozim konkret në Kuvend.

Nga partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim ka thënë se me rëndësi për të është mbarëvajtja e zgjedhjeve dhe se do të pranonte cilindo model zgjedhor. Opozita ndërkohë mbështet lista e hapura, por me të paktën tri njësi zgjedhore.

Maqedonia e Veriut aktualisht ka sistem zgjedhor proporcional me gjashtë njësi zgjedhore dhe me lista të mbyllura. Kuvendi numëron 120 deputetë dhe nga çdo njëri njësi zgjidhen nga 20 deputetë.

Debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor vjen një ditë pas kryeministri, Zoran Zaev nuk e përjashtoi mundësinë e rënies së Qeverisë dhe zgjedhjeve të parakohshme, nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datën nga Bashkimi Evropian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim./ REL