10 FAKTE:
- Mark Kapidani ishte deputet i Shkodrës, i zgjedhur në Parlamentin e Shqipërisë të dalë nga zgjedhjet e 11 nëntorit të vitit 1932.
- Mark Kapidani ishte 1 nga 58 deputetët që kishte ky Parlament.
- Gegë Marka Gega, autor i vrasjes së Mark Kapidanit, njihej ndryshe edhe si bajraktari i Shtatë Grykave, në Orosh të Mirditës.
- Gegë Marka Geka ishte kapiten në rezervë, i caktuar nga Ahmet Zogu për merita të veçanta.
- Gegë Marka Gega e kishte ndihmuar qeverinë në shtypjen e rebelimit të Mirditës, më 1921.
- Si Mark Kapidani, ashtu dhe Gegë Marka Gega, ishin nga Mirdita dhe familjet e tyre historikisht ishin rivale për influencë në këtë krahinë.
- Familja e Mark Kapidanit dhe e Gegë Marka Gegajt ishin në gjak që nga gjyshërit e tyre.
- Gegë Marka Gega u dënua me vdekje si pjesmarrës në Kryengritjen e Fierit më 1935 dhe pas faljes se jetës, gjykata vendosi dënimin me 30 vjet burg.
- Gegë Marka Gega u arratis nga burgu dhe u arrestua përsëri më maj të vitit 1937.
- Në janar 1933 Parlamenti vendosi t’i japë familjes së deputetit të vrarë Mark Kapidani një pension.
DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN
Nush Bushati, deputet, nga fjala në ceremoninë e varrimit
“Pusho i qetë Mark Kapidani, shokët e tu të përfaqësimit kombëtar të napin fjalën me ndjekë përherë virtytet e tuaja të nalta.”
10 MISTERE
- Si ka mundësi që përkoi momenti kur Mark Kapidani do të hynte në takim me mbretin Zog dhe Gegë Gega doli prej andej?
- A ishte Ahmet Zogu ai, që nëpërmjet një intrige bëri që dy armiqtë të takoheshin në Pallatin Mbretëror?
- Si ka mundësi që Ahmet Zogu ia preu rrogën si kapiten në rezervë Gegë Marka Gegajt?
- Përse Ahmet Zogu e justifikoi këtë më faktin që ia kishte kërkuar Mark Kapidani?
- Përse Ahmet Zogu i donte si Mark Kapidanin, ashtu dhe Gegë Marka Gegajn të vdekur?
- A kishte lidhje kjo me faktin që në cilësinë e mbretit, Zogu synonte t’i dobësonte familjet me ndikim të madh në zonat e tyre?
- A ishte Mirdita krahina që Ahmet Zogu ia kishte më shumë frikën për influencën dhe pushtetin e disa barjaqeve në atë zonë?
- Si ka mundësi që pas dënimit me 20 vjet burg, Gegë Marka Gega u fal nga mbreti Zog dhe u lirua?
- Si ka mundësi që edhe pse e fali, Gegë Marka Gega mori pjesë edhe në Kryengritjen e Fierit më 1935, por dhe në atë të Delvinës më 1937?
- Si ka mundësi që, edhe pse bëri këtë intrigë, mbreti Zog i lidhi pension familjes së Mark Kapidanit?
TË DHËNA NË SHIFRA
7 PLUMBA: Në trup mori Mark Kapidani nga të cilët gjeti vdekjen.
1 VIT E 1 MUAJ: Kishte kaluar nga zgjedhja e Mark Kapidanit, si deputet në zgjedhjet parlamentare të asaj kohe.
5 PLUMBA: Në trup mori Gegë Marka Gega nga të cilët mori plagë, por pa i rrezikuar jetën.
20 VJET BURG : U dënua Gegë Marka Gega pas vrasjes së Mark Kapidanit.
Ishte një duel tipik ajo që ndodhi paraditen e 19 dhjetorit të vitit 1933 në Tiranë, mes një deputeti të Parlamentit dhe një oficeri në rezervë. Për afro 10 minuta, parlamenti Mark Kapidani dhe ushtaraku Gegë Marka Gega shkëmbyen zjarr me pistoletat e tyre në oborrin Pallatit Mbretëror të Ahmet Zogut. Gega dilte nga takimi me Ahmet Zogun, ndërsa Mark Kapidani po hynte në një takim me mbretin. Në orën 15:30 ngjarja përfundoi tragjikisht: Mark Kapidani mori në trup shtatë plagë dhe Gega 5 plagë. Por ndërsa Kapidani ndërroi jetë në orën 15:30, Gega mbijetoi dhe u dënua me 20 vjet burg.
SKENA E KRIMIT
Nuk mund të shpëtonte mbretëria më e vogël e Evropës, Shqipëria, pa një intrigë dhe vrasje në selinë e saj. Atë ditë dhjetori të vitit 1932 në oborrin e monarkisë u vra deputeti mark Kapidani. Në fakt, ai shkëmbeu zjarr me Gegë Gegën, një armik të vjetër, me të cilin rastësisht u gjet ballë për ballë. Xhelal Staravecka, një personazh historik i kohës, me një karrierë që arriti deri në komandant xhandarmërie, kishte informacione të hollësishme gati për çdo ngjarje që ndodhte në Shqipëri. Staravecka jep edhe momentin e përleshjes me armë mes dy mirditorëve.
“Kur Geg Mark Geka, kështu quhej bajraktari i Shtatë Grykave, hyri në audiencë, deputeti Gjon Markaj ishte në oborr të pallatit, në dhomën e pritjes së audiencave. Kur Geg Mark Geka iu ankua Naltmadhnisë së tij për prerjen e rrogës, Zogu iu përgjigj se shkaku i prerjes së rrogës ishte deputeti Gjon Markaj, mbasi ai nuk donte që kërkush tjetër të përfaqësonte qoftë edhe një copë toke të Mirditës.”
Në fakt që dy shqiptarë të bënin duel, duke qëlluar për minuta të tëra njëri- tjetrin, ishte vërtetë shumë e rrallë. Për më tepër që kjo ndodhte në oborrin e Pallatit Mbretëror. Rreth e rrotull kishte shumë xhandarë dhe roja të mbretit, por askush nuk ndërhyri. “Punën” e nisur të dy çuan deri në fund. Pasi u shtrinë të dy të gjakosur dhe pushuan së qëlluari, xhandarët iu afruan të dy trupave të plagosur dhe i dërguan me shpejtësi në spitalin e kryeqytetit, që ndodhej vetëm 100 metra larg. Sipas verifikimeve, Mark Kapidani kishte marrë 7 plagë, ndërsa Gega 5. Mjekët bënë ç’ishte e mundur për t’ua mjekuar plagët, por ndërsa Gega mbijetoi, Mark Kapidani ndërroi jetë pas afro pesë orësh, në 15:30, në spital.
AHMET ZOGU NË VRASJE
Po përse mbreti Zog, kishte arsye që dy mirditorët më në zë të kohës, jo vetëm të ishin në konflikt, por të eleminonin njëri-tjetrin? Në fakt edhe Staravecka nuk i shpëton tundimit të intrigës lidhur me atë që kishte ndodhur në Pallatin Mbretëror.
“Geg Mark Geka, kur doli nga audienca u takua ballë për ballë me deputetin Gjon Markaj, mu në mes të oborrit të pallatit. Në atë takim ndërsa kërcitnin revolverët midis dy armiqve Zogu dëfrehesh në dritare duke i bërë sehir, kur dy persona, viktima të intrigës së vet po vriteshin në oborrin e pallatit të tij.”
Ndërsa Mark Kapidani vdiq, pas mjekimit xhandarët arrestuan Gegën dhe një trup gjykues e dënoi atë me 20 vjet burg. Në këtë mënyrë, Ahmet Zogu ia kishte arritur qëllimit: Mark Kapidani vdiq, ndërsa Gegë Marka Gega ndodhej në qeli./Konica.al
Shkëputur prej “100 vrasjet më të bujshme” (Në historinë e shtetit shqiptar në të gjitha trojet shqiptare, 1912-2017), me autor Roland Qafokun./Konica.al
Përshtati: Hera Lera