Është mbajtur në Tiranë edicioni i dytë i Festivalit të artit urban “MurAL Fest”. Edicioni i këtij viti titullohej “Kur muret flasin”.
Festivali “MurAL Fest” u çel në datën 1 qershor në mbrëmje dhe vijoi për disa ditë deri në datën 8 qershor 2019. 18 artistë të artit mural të ardhur nga Italia, Argjentina, Spanja, Polonia, Rumania, Greqia, Anglia, SHBA etj., me pikturat e tyre, sollën në muret e Kryeqytetit bashkëveprimin mes ideve të pjesëmarrësve dhe komunitetit.
Ky aktivitet u mbajt falë bashkëpunimit të Dekor Tirana dhe laboratorit te artit urban 167B/street te Leçes, Itali me mbështetjen e Drejtorisë të Punëtorëve nr 3 – Bashkia Tiranë, Ambasadës të Rumanisë, Institutit Italian të Kulturës dhe Aleancës Franceze.
Për organizatorët e Festivalit, qëllimi i këtij aktiviteti është t’i japë vazhdimësi imazheve që shprehin vlerat njerëzore, shoqërore duke respektuar idenditetin multikulturor.
Projekti me të cilin u prezantua Rumania në këtë edicion lidhej me figurën e Nikolla Jorgës (Nicolae Iorga në rumanisht), e pikturuar në faqen e një pallati në rrugën me të njëjtin emër në Kryeqytet.
Vepra e artistit rumun, është realizuar në formën e pikturës të një busti, të personalitetit multidimensional rumun i cili qendron mbi një bazament ku ishin shkruar aforizma të përbashkët në gjuhën shqipe dhe rumune si dhe fjalë që tingëllojnë thuajse njëlloj. Në dallim nga pjesëmarrësit e tjerë, artisti rumun ka përzgjedhur të prezantojë vendin e tij përmes një figure kombëtare si Nikolla Jorga, historian, politikan dhe njëheresh ish Kryeministër i Rumanisë, personalitet i cili midis të tjerash ka vendosur theksin tek të përbashkëtat mes vëndeve tona. E veçanta tjetër e këtij punimi qëndron edhe në pozicionin mjaft të dukshëm për qytetarët të cilët do të kenë mundësinë të jenë nën shoqërimin e punës së artistit rumun Laurențiu Alexandrescu i njohur me emrin e artit Irlo Doidoi.
(https://www.facebook.com/IRLO22/ )
Ndiqni në vijim intervistën e realizuar me të:
-Si mësuat për këtë Festival në Tiranë dhe si ju duk ky qytet i lyer dhe plot ngjyra? Kishit menduar para se të vinit këtu për të vizituar Shqipërinë? Kishit ndonjë ide rreth zhvillimit te këtij arti mural?
IRLO 22 – Jam kontaktuar nga Instituti Rumun i Kulturës që nëpërmjet Ministrisë të Punëve të Jashtme, rrjedhimisht dhe Ambasadës të Rumanisë në Tiranë, të prezantoj Rumaninë në këtë Festival, si pjesë e aktiviteteve kulturore të kryera nga Ambasada në kuadër të Presidencës së Rumanisë të Këshillit të Bashkimit Evropian. Nuk dija shumë rreth Shqipërisë dhe Tiranës por me këtë rast pashë dhe zbulova gjëra të mrekullueshme. Festivali është i ri, është vetëm edicioni i dytë i tij, por mbledh emra nga skena ndërkombëtare. Qyteti ka një zhvillim serioz në këtë drejtim, jam i impresionuar.
-Përse zgjodhët të paraqiteshit në këtë Festival me figurën e Nikolla Jorgës?
IRLO 22: Zonja Zv/ambasadore e Rumanisë, Cristina Halacu-Nicon më tregoi se ekzistonte një rrugë e quajtur “Nikolla Jorga” dhe më tregoi dhe për lidhjen që ai kishte pasur me Shqipërinë. Unë zakonisht përdor historitë specifike të vendit dhe kjo mu duk që në fillim më e përshtatshmja.
-Cila është pjesa më e vështirë e punës që beni? Por më e bukura?
IRLO 22: Pjesa më e vështirë është puna në lartësi, me vinça të vjetër që kanë balancë vetëm kur janë të hapura në maksimum. Pra ende lufton me pasigurinë. Pjesa më e bukur janë udhëtimet në botë dhe takimet me njerëz të rinj me të cilët shkëmbej përvojat.
-Po të rinjtë si mund të mësojnë të bëjnë këtë lloj pune? Ku mësohet ky lloj arti?
IRLO 22: Besoj se më mirë mësohet duke u praktikuar. Nëse ka pasion për artin mural, monumental, metoda e studimit shfaqet për secilin e personalizuar.
-Çfarë do të dëshironit të mendonin njerzit kur të shikojnë murin të cilin do pikturoni?
IRLO 22: U gëzova që do të mund të realizoj një punim me kuptim edukues. Edicioni i këtij viti i MurAL Fest titullohet “Kur muret flasin”. Solla në dritë figurën e Nikolla Jorgës i cili kontribuoi në kulturën dhe historinë e Shqipërisë, ndërsa teksti i mbajtëses paraqet shprehje popullore, fjalë të urta të vjetra të cilat janë të njëjta vetëm në shqip dhe rumanisht. Më futi në mendime, sepse kam një interesim të vjetër për gjuhësinë.