Jorge Luis Borges, poeti i madh argjentinas mbahet një nga më të rëndësishmit dhe më me influencë të shekullit XX. Pirat biblioteke, Borges e ka shndërruar letërsinë në thesar të bollëkshëm të poezisë, romaneve dhe pjesëve kritike që i janë plaçkitur ngado. Borgesi besonte në epërsinë e letërsisë mbi jetën, le të themi se jetonte i rrethuar nga librat, nga shkrimtarë e shkrimtare, përfshirë Viktoria Okampo. Megjithatë, kjo nuk nënkuptonte se ai nuk shihte asgjë nga bota, apo se ishte i çinteresuar: i angazhuar politikisht, ai gjithashtu udhëtonte shumë. Rëndom hasemi me reputacionin se ai ishte shkrimtar jointeresant, pasi në mënyrën e të shkruarit përziente shumë koncepte teorike. Mirëpo, kjo lidhet me tiparin kyç: mjegullimin e kufijve midis prozës artistike dhe ligjëratave joletrare. Ishte pikërisht ky porozitet, që e lejoi të shkruante edhe për nazizmin e fashizmin.
Biografia e Borgesit kryqëzohet me atë të personazheve të tij, pra nëse duam të flasim për shkrimtarin, duhet të flasim së pari për librat e tij. Ëndërrimin, labirintin, fantastiken, ngjyrimet, kthimin e përjetshëm… Krijimtaria e Borgesit është një vepër e kujtesës, ndaj këto tema të mëdha janë aspektet e shkrimtarit.
Në vitin 1955, Borges u emërua Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Buenos Aires, një post që e mbajti derisa verbëria totale e detyroi të hiqte dorë nga përgjegjësia, verbëri që nuk e pengoi shkrimtarin të udhëtonte dhe të mësonte, si në atdheun e tij, ashtu edhe në Evropë dhe Amerikë.
Puna e Jorge Luis Borgesit, një nga më të njohurat e Amerikës Latine në Evropë dhe në botë, është shumëpanëshe dhe topitëse. Para së gjithash ai është poet, por është gjithashtu edhe tregimtar dhe eseist. Megjithatë, asnjë prej këtyre emrave nuk i shkon tamam për shtat, sepse ai ka një mënyrë krejt të vetën të të qenit poet, tregimtar apo eseist. Nga njëra anë, ai është një kozmopolit i pakorrigjueshëm, nga ana tjetër, një adhurues i qytetit të tij, Buenos Aires dhe atdheut të vet.
Veprat e para të Borgesit konstatohen nga lirizmi sentimental dhe nostalgjik: “Zelli i Buenos Aires” (1923), “Hëna përballë” (1925), “Dimensioni i shpresës sime” (1926), “Gjuha e argjentinasve” (1928), “Fletorja Shën Martin” (1929) dhe “Evaristo Carrriego” (1930). I njëjti dell sentimental dhe nostalgjik do ta shoqërojë thuajse ngaherë vijimësinë e krijimtarisë së autorit, veçanërisht poezitë e mëvonshme. Porse në fillim të vitit 1925, Borges përuroi zhanrin e tregim-eseve që do ta bënin të famshëm: “Hetimet”.
Puna e Borgesi zhytet në një labirint sofizmash marramendëse, të cilat vështirë të dallohen nëse janë thjesht verbale apo metafizikisht të thella. Referencat, shpesh turbulluese, pavarësisht erudicionit të tyre, filozofëve të solipsizmit si Zhorzh Berkeli, David Hym, Artur Shopenhauer, Emanuel Kant ose Benedeto Kroçe, nuk duhet të na shtyjnë drejt ngatërrimit të “Hetime” me hetime filozofike: Jorge Luis Borges nuk është as eseist, as filozof, veçse loja me fjalët dhe qeniet mbart diçka ngazëllyese dhe të akullt.
Një stil elegant, i ftohtë dhe me shumë etiketë, e dalë nga një logjikë e patrazuar, i transmeton lexuesit spekulimet më rravguese, në një distancë të pafundme nga jeta “e zakonshme”. Veçse nuk ka rëndësi momenti, në tregimin apo në esenë më të çuditshme, Borgesi tjetër, ai i Buenos Airesit, i rrugëve të saj, i shtëpive të saj, i oborret të saj, i periferive që humbasin në stepa të pafundme, rishfaqet, këtë herë i përhumbur në një tjetër marramendje, në atë të nostalgjisë për një të kaluar personale apo kombëtare që ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë.
Poezia e Jorge Luis Borgesit “Poezi 1923-1958” e mbledhur në “Vepra e plotë”, botuar në vitin 1964, dhe “Ari i tigrave” (1974), nuk mund të veçohet nga pjesa tjetër e punës së tij, pasi edhe aty gjejmë të njëjtat tema: labirinti, kaosi i botës, dyzimi, migrimi i shpirtrave, shfuqizimi i vetes, koincidenca e biografisë së një burri me atë të të gjithë njerëzve, panteizmi, kthimi i përjetshëm, kujtesa, si dhe të njëjtën luhatje midis universit të intelektualizuar e plot citate dhe universit nostalgjik, ku Borgesi, papritur i jep jetë Rio de la Plata, periferi e Buenos Aires, pafundësisë së mistershme të stepës.
Jeta e Borgesit ishte si letërsia dhe krijimtaria e çdo shkrimtari tjetër, që përgjatë sokëllitjes së shekullit të fundit, kontribuoi për të ndryshuar marrëdhënien tonë me letërsinë. Mbase shkrimtarë të tjerë ishin më shumë aventurierë, apo më të zgjuar në udhëtimet e tyre nëpër ngushticat e gjeografive tona të fshehta.
Nga ana tjetër, Borges nuk u përpoq aspak ose pothuajse, aspak. Më saktë, përgjatë jetës së gjatë, ai përvijoi harta të pabotuara për të na mundësuar t’i lexojmë më mirë këto eksplorime, veçanërisht në zhanrin e tij të parapëlqyer, atë të letërsisë fantastike, që në librat e tij përfshinte edhe fenë, edhe filozofinë, edhe matematikën. Ka shkrimtarë të cilët, përpiqen ta përfshijnë botën në një libër. Ka të tjerë, më të rrallë, për të cilët bota është një libër, një libër të cilët përpiqen ta lexojnë për vete dhe për të tjerët. Borges qe një prej këtyre të fundit./Konica.al
BASHKËFAJTORI
Më kryqëzojnë dhe unë duhet të jem kryqi dhe gozhdët.
Më zgjasin gotën dhe unë duhet të jem helmi.
Më mashtrojnë dhe unë duhet të jem gënjeshtra.
Më vënë zjarrin dhe unë duhet të jem ferri.
Duhet të lëvdoj dhe të falënderoj çdo çast të kohës.
Ushqimi im është çdo gjë.
Pesha e saktë e universit, poshtërimi, ngazëllimi.
Duhet të përligj atë që më plagos.
S’ka rëndësi lumturia apo fatkeqësia ime.
Unë jam poeti.