MENU
klinika

Rregullat e reja

Makineritë e rënda, ja si merret dëshmia

15.06.2019 - 19:54

Ministria e Infrastukturës ka miratuar një rregullore të re “Për kushtet, kriteret dhe programet për përgatitjen teorike-praktike të kandidatëve, si dhe dhënien e dëshmisë së aftësisë profesionale për përdoruesit e makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke, si dhe disiplinimi i përdorimit të makinerive të ndërtimit”.

Kjo rregullore ka për qëllim vendosjen mbi baza ligjore të aktivitetit, administrimit dhe përdorimit të makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke, si dhe disiplinimi i përdorimit të tyre në zbatim të rregullave të sigurimit teknik dhe mbrojtjes nga aksidentet.

Rregullorja përcakton kushtet, kriteret dhe rregullat për:

1. përgatitjen teorike dhe praktike të shtetasve që kërkojnë të pajisen me Dëshminë e Aftësisë Profesionale DAP, të përdoruesit të makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke;

2. vendosjen e rregullave të administrimit, organizimit dhe përdorimit të makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke nga subjekte ose persona që i kanë në posedim.

Sipas rregullores së re trajnimi në kursin teorik kryhet nga inxhinierë mekanikë, ose specialistë të punësuar pranë subjekteve juridike, dhe ka të bëjë me përvetësimin e njohurive të plota teorike në funksionimin e këtyre makinerive, për rreziqet në punë dhe masat e sigurimit teknik për evitimin e tyre.

Për realizimin e përgatitjes praktike, subjektet juridike, të ndryshme nga ata ndërtues apo bonifikues, duhet të sigurojnë ambiente të përshtatshme, të miratuara për punime gërmimi, nivelimi apo sistemimi toke ose në mungesë të tyre, të bashkëpunojnë me subjektet ndërtuese, për shfrytëzimin e ambienteve dhe kantiereve të tyre të ndërtimit, me qëllim praktikimin e kandidatëve si dhe kontrollin e aftësive në përdorimin e tyre.

Zhvillimi i kursit praktik:
1. Subjektet juridike ose subjektet ndërtuese duhet të posedojnë me një nga format e pronësisë, makineri të ndryshme ndërtimi dhe të punimeve në tokë, që plotësojnë kushtet për kursin praktik të kandidatëve, si përdorues të makinerive të rënda të ndërtimit dhe punimeve në tokë, sipas nenit 8 të kësaj rregulloreje.

2. Makineritë e rënda, që plotësojnë kriteret sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të jenë të pajisur nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor me autorizimin përkatës për t’u përdorur si mjete mësimore në zhvillimin e kursit praktik të aplikantëve për përdorues të makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke, si dhe të jenë të evidentuara në regjistrin përkatës të drejtorisë rajonale sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja. Këto mjete, të ndryshme nga ato që përdoren për ushtrimin praktik për kategoritë e lejedrejtimit, nuk do kenë shënimin autoshkollë, pasi ushtrimi praktik në këtë rast është i lidhur me pajisjet apo mekanizmat të cilat ato mbartin për realizimin e punimeve të ndërtimit apo edhe të tokës, dhe jo për drejtimin e tyre si mjete rrugore.

3. Çdo subjekt juridik ose subjekt ndërtues, duhet të ketë instruktorin e praktikës, i cili të jetë pajisur me Dëshminë e Aftësisë Profesionale përkatëse dhe me eksperiencë pune jo më të vogël se 5 vjet. Instruktorët e praktikës zhvillojnë sipas programit të miratuar, kurset përkatës dhe vijueshmërinë dhe përgatitjen e kursantëve e dokumentojnë në Regjistrin e zhvillimit të kursit praktik.

4. Përgatitja praktike e kandidatëve, në të gjitha rastet do të bëhet në ambiente të përshtatshme si më poshtë:
a)- fillimisht në fushë, rrugë e mjedise të pa banuara, ku nuk ka lëvizje të dendura për të praktikuar komandat bazë në lëvizjen e makinerive para dhe mbrapa; kthimet në vend dhe në lëvizje; komandimin e lehtë të agregatëve të makinerive pa ngarkesë; pozicionimin e tyre sipas punimeve që do kryejnë.
b)- për të garantuar një lëvizje të sigurt nga ambientet e strehimit në kantieret e punës, kur nuk është i nevojshëm transporti me rimorkjator, do të praktikohet fillimisht lëvizja e tyre në rrugë jashtë qendrave të banuara, ditën dhe natën; kur do të jetë i nevojshëm transporti me rimorkiator apo me mjete të tjera do të praktikohet ngarkimi i tyre në këto mjete, fiksimi dhe sigurimi dhe zbritja pa avari.
c)- në kantieret e ndërtimit për të praktikuar lëvizjet, pozicionimin dhe përgatitjen e mjetit për të filluar procedurën e punimit përkatës; gërmimet për thellim të sipërfaqes, rilevimit, spostimit dhe transportit të dherave, për kanale dhe themele etj.; ngarkimin e mjeteve me mbeturina të ngurta apo inerte; përgatitjen dhe transportin e betoneve nga fabrikat e prodhimit në objektin që ndërtohet etj.

5. Koha e përgatitjes për kursin praktik, për çdo kandidat të jetë 8 (orë), pra 1 (një) orë në ditë, i cili duhet të zhvillohet pas mësimit teorik.

6. Numri maksimal i kandidatëve që lejohen të ushtrohen në një cikël me një mjet (makineri të rënda ndërtimi) dhe një instruktor, për çdo lloj makinerie, nuk duhet të jetë më shumë se 8 veta. Sektori i lejeve të drejtimit në drejtorinë rajonale duhet t’i evidentojë në një regjistër të veçantë.

7. Makineritë e rënda për punime ndërtimi dhe toke, vetëlëvizëse me goma, duhet të jenë me pamje të jashtme të rregullta dhe në gjendje të mirë teknike, të pajisura me certifikatën e kontrollit teknik dhe të regjistruara me leje qarkullimi nga Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Publikohen formularët

Subvencionet për bujqësinë