MENU
klinika

Fushata elektorale në Korçë

“Konflikt civil?”/ Rama: Nuk ndjekim tekat e opozitës për pushtet!

16.06.2019 - 17:06

Kryeministri Edi Rama sot ndodhet në qarkun e Korçës ku vijon fushatën elektorale për zgjedhjet lokale duke prezantuar kandidatët.

Ai deklaroi se përpjekjet për të frenuar 30 qershorin vijnë prej atyre që duan të pengojnë procesin e integrimit të vendit në BE. Rama tha se zërat që po përpiqen të fryjnë krizën politike duke thënë se vendi po shkon drejt një ’97-te të dytë janë ata që propagandojnë për të prishur imazhin e vendit.

Gjithashtu kryeministri theksoi se vendi nuk është në kushtet kur mund të përsërisë një konflikt civil për të ndjekur nga pas tekat e opozitës për pushtet.

Gjatë qëndrimit në Pustec, bashki e minoritetit maqedonas, ai tha se u sqarua me presidentin e vendit fqinj për deklaratat e tij për negociatat dhe lexoi një mesazh të kryeministrit Zaev për minoritetin.

Nga Pusteci, që është bashki minoritare, Niko Peleshi u shpreh se koha e humbur me kandidatët e mbështetur në të kaluarën do të fitohet me Pali Kolevskin, që garon në 30 Qershor.

“Është e vetmja pjesë e vendit ku përvec këtij sheshi të dallosh punën e bashkisë, edhe ky është pjesë e rilindjes urbane. Ne këtë herë do të kandidojmë një nga djemtë tuaj më të mirë, Pali Kolevskin. Një kryetar që u shtrohet punëve dhe jo halleve të veta me ligjin.

Le ti lëmë pas zgjedhjet e gabuara të së shkuarës, le të fitojmë kohën e humbur” tha ai. Ndërsa vetë kandidati Pali Kolevski tha se “Furnizimi me ujë të pijshëm është problem, largimi i mbeturinave, kanalizimet dhe infrastruktura rrugore. Dua të votoni për numrin 1 dhe atë 30 të PS”.

Kryeministri Rama u shpreh se ‘Jemi dy popuj miq dhe vëllezër, nuk ka asnjë problem, asnjë cështje të hapur.

E kemi pasur shumë të vështirë që të bëjmë më shumë me bashkinë tuaj. Për Palin nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë të keqe. Këtu mungon uji, kanalizimet…”.

Kryetari aktual i Bashkisë së Pustecit është Edmond Themelko.

Më tej, gjatë fjalës së mbajtur, referuar deklaratave dhe mallkimeve të Neritan Cekës ndaj atyre që do të shkojnë që të votojnë në 30 Qershor, Rama reagoi duke thënë se ‘e ka zënë tartakuti, 70 e kusur vjeç dukej sikur kishte dalë xhindi nga filxhani’.

Ceka, duke u ndalur te mosha, u përgjigj duke thënë se ‘E sfidoj Ramën në një garë 50m, 100m, në ngjitje shkallësh dhe e shikojmë kush del i pari’.

Por kryeministri sot nga Pusteci vijoi replikën me ironi duke i thënë ish-kreut të Aleancës Demokratike se “Kishte thënë jam gati të bëj garë me Ramën kush ngjitet deri në kat të parë, unë e kisha si të zbresësh nga kati i dytë me këmbë në tokë.

Mallkojnë popullin për hallin e tyre, jo Neritani, se atë e ka zënë tartakuti.

Kishte dalë Neritani nga filxhani sikur kishte dalë xhindi nga shishja. Ne nuk u premtojmë mrekulli dhe magji, pasi i bëjnë ata që shohin filxhan”.