Kompania Facebook ka prezantuar një aplikacion që i shpërblen përdoruesit që do të ndajnë të dhëna në lidhje me përdorimin e aplikacioneve tek smartfonët.
Ajo quhet “Studim nga Facebook” dhe sipas kompanisë së Mark Zuckerberg, respekton privatësinë pasi nuk mbledh informacion mbi kredencialet dhe fjalëkalimet, as nuk jep qasje në mesazhe ose faqe të vizituara.
“Ne kemi mësuar se pritjet e njerëzve kur nënshkruajnë për të marrë pjesë në studimin e tregut kanë ndryshuar dhe ne kemi krijuar këtë aplikacion për të përmbushur këto pritshmëri”, theksoi menaxheri i produktit Sagee Ben-Zedeff.
Në të kaluarën, Facebook kishte nisur dy aplikacione të ngjashme.
I fundit, i quajtur “Facebook Research”, u mbyll në muajt e fundit pas shfaqjes së dy çështjeve kritike: aplikacioni ishte nënshkruar nga të miturit dhe shkelte udhëzimet e kompanisë Apple.