Huatë që nuk kthehen në afat në banka kanë shënuar rritje në katër muajt e parë të vitit, pasi arritën nivelin më të ulët që nga 2010-a në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i kredive me probleme u rrit me 0.08 pikë përqindje nga muaji i kaluar, duke arritur në 11.46% të totalit të huasë që është dhënë nga bankat për bizneset, individët etj. Në dhjetor, ky tregues kishte zbritur në 11.08%.
Në vlerë absolute, kreditë e marra nga bizneset e individët, që janë më shumë se tre muaj vonesë në kthimin e kësteve ishin 500 milionë euro. Në raport me dhjetorin 2018, në portofolet e bankave janë shtuar edhe 30 milionë euro hua që është në vonesë.
Përgjatë gjithë vitit 2018, sistemi bankar pa një rënie të nivelit të kredive me probleme. Në dhjetor të vitit 2018, 11.08% e totalit të huave ishin në vonesë më shumë sesa 3 muaj, nga 13.28% që ishin në dhjetor 2017. Banka e Shqipërisë vlerësoi se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme. Pritshmëritë e Bankës ishin që pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar pritet të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen.
Por, në 2019-n, kjo tendencë nuk po konstatohet, të paktën në katër muajt e parë të vitit, duke sinjalizuar për vështirësi në aktivitetin e bizneseve, të cilët mbajnë dhe peshën më të madhe të huave problematike.
Një raport i fundit i bërë publik nga Iniciativa e Koordinimit të Bankës Evropiane në Vjenë pohonte se pavarësisht uljes, Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive me probleme (NPL) të sektorit të saj bankar nga 17 vende në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) gjatë 12 muajve deri në shtator 2018.
Raporti i NPL-ve në Shqipëri ra me 1.9 pikë përqindje nga viti në vit në 12.9% në fund të shtatorit, por mbeti më i larti në rajon, sipas instrumentit gjysmë vjetor për CESEE, botuar nga NPL Initiative, një nënbashkësi e Vienna Initiative.
Vetëm dy vende mbesin mbi pragun prej 10% në CESEE (Shqipëria në 12.9% dhe Kroacia me 10.2%).