Në lidhje me përgjimet e publikuara sot nga gazeta gjermane “Bild”, ka reaguar edhe ish-ministri i PS-së Damian Gjiknuri
Ai shprehet se në komunikimin e tij nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin, ndërsa shton se çdo interpretim apo deduksion tjetër bëhet për qëllime të pastra politike.
Sipas Gjiknurit, ky spekulim është i qëllimshëm dhe synon të njollosë fitoren e merituar të kandidatit të Partisë Socialiste dhe punën organizative të koordinatorëve të saj.
“Referuar publikimeve të fundit në media rreth procesit zgjedhor në Bashkinë e Peshkopisë në vitin 2016, me synim transparencën dhe hedhjen poshtë të spekulimeve të qëllimshme sqaroj se për periudhën për të cilën bëhet fjalë kam mbajtur funksionin e drejtuesit politik të PS në Qarkun Dibër. Në bisedat e mia telefonike të publikuara audio në gjuhën shqipe, nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin apo shkon përtej komunikimit normal organizativ mes shtabit elektoral në një fushatë.
Çdo pretendim tjetër është deduksion politik i qëllimshëm, madje edhe transkriptim dhe koment i pavërtetë në raport me atë çka thuhet me zë prej meje apo asaj çka përfaqësojnë bashkëbiseduesit. Natyrisht, ky spekulim bëhet qëllimshëm për të njollosur fitoren e merituar të kandidatit të Partisë Socialiste dhe punën organizative të të gjithë kordinatorëve elektoral ashtu dhe timen si drejtues politik.
Duke qenë se çështja është në hetim nga prokuroria nuk është normale që unë të flas me detaje për këtë proces. Mbështes dhe inkurajoj prokurorinë të hetojë çdo element, pretendim apo qoftë dhe indicie për veprimtarinë e kujtdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste të angazhuar në këtë proces zgjedhor.
Gjithashtu, publiku duhet të dijë se si ka mundësi që Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, ka përfshirë në përgjim të gjithë shtabin elektoral të PS me vetëm një kallëzim nga subjekti kundërshtar Partia Demokratike, madje e ka regjistruar hetimin për korrupsion dhe jo për shitblerje votash!?”, shkruan ish-ministri.