MENU
klinika

"Luli i vocërr"

Pse u vra nxënësi që Migjeni e veçoi?

19.06.2019 - 13:33

      Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën”, që realizohet prej dy vjetësh, autori realizues i këtij cikli, gazetari dhe studiuesi i njohur, Dashnor Kaloçi, sjell para teleshikueseve dokumentarin e ri, “Misteri i vrasjes së Zenel Islamit, ‘Lulit të vocërr të Migjenit”.

Ky dokumentari që është dhe i 14-ti që realizohet në kuadrin e në këtij cikli që merr spunton dhe tenton të zbardhë apo të hedh dritë mbi krimet e ndodhura gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri, i kushtohet dhe bën fjalë për Zenel Islam Shkrelin me origjinë nga Dedaj i Pukës, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut, së bashku me motrën e tij, ishte një nga nxënësit e poetit të njohur shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla, apo siç njihet ndryshe, Migjeni.

 

 

 

Duke qenë një fëmijë mjaft i zgjuar dhe me shumë veti dalluese nga bashkëmoshatarët e tjerë, Zenel Islami pati rastin dhe fatin gjithashtu të ishte jo vetëm nxënës i Migjenit të madh, por edhe një nga fëmijët më të preferuar të asaj shkolle për mësuesin poet, që në vitin 1937 i kushtoi atij edhe tregimin, “Dy Zenelët”, gjë të cilën Migjeni i famshëm e ka dëshmuar vetë me anë të një letre drejtuar Ministrit të Arsimit në atë kohë, ku i sugjeron se: “Zenel Islami, personazh i tregimit që ju kam dërgu me e lexu…të pranohet edhe si shërbëtor shkolle”.

Në atë tregim, Migjeni i famshëm në një farë mënyre jo vetëm që e përjetësoi Zenelin e vogël në krijimtarinë e tij letrare, por dhe i parashkroi fatin e jetës së tij…?!

Zenel Islami ndoqi gjimnazin e Shkodrës e më pas, u përfshi në Levizjen Antifashiste dhe aty e mori Jordan Misja, i cili ishte mësues në Pukë. Në ketë periudhë, Zeneli është njohur edhe me një ndër herojtë e ardhshëm të Vigut, Naim Gjylbegu.

 

 

 

 

Pas përfundimit të luftës me mbështetje të Nako Spirus dhe Liri Belishovës, Zeneli emërohet Sekretar i parë Komitetit të Rinisë së Pukës dhe Kryetar i Rinisë së Qarkut të Shkodrës dhe një vit më pas, emërohet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Pukës.

Gjatë periudhës që shërbeu në rrethin e Pukës, si sekretar i parë ku nuk ishte më shumë se 20 vjeç, Zenel Islami pati probleme të shumta me Sigurimin e Shtetit, pasi ai edhe si vendali, mori në mbrojtje disa nga familjet e ashtuquajtura reaksionare të asaj krahine dhe kryesisht të Kryeziut, ku regjimi komunist i kohës ushtroi një terror të madh me vrasje, burgime dhe internime, pasi ai vend njihej si “çerdhe e reaksionit“ për shkak se ishte fshati i familjes Mirakaj.

 

 

 

Në këtë periudhë kohe, Zeneli u detyrua që t’i shkruante një letër të gjatë Enver Hoxhës, ku i sqaronte dhe i bënte me dije, jo vetëm për intrigat “koçixoxiste“ të Sigurimit të Shtetit, por edhe për vrasjet që ishin bërë aty, si p.sh. Zenel Çobën dhe Lek Berishën, të dy komunistë të orëve të para dhe miq e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zenelit, për të cilët Sigurimi kishte hapur fjalë (“legjenduar“), sikur ishin vrarë nga diversantët.

Pas kësaj, Zenelin do ta largonin nga rrethi i Pukës dhe ai do të transferohej në rrethin e Lezhës, po me detyrën e sekretarit të parë, gjë e cila solli një irritim të madh të gjithë rrethit të Pukës, ku të gjithë e donin dhe e respektonin atë si djalin e tyre.

 

 

 

 

Pasi shërbeu disa kohë në rrethin e Lezhës, Zeneli do të dërgohej për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, duke u diplomuar me rezultate të larta në Fakultetin e Filozofisë në Moskë, ku vlen të theksohet, se sipas disa dokumenteve arkivore, ai dhe disa studentë të tjerë kanë qenë nën survejimin e organeve të Sigurimit të Shtetit.

Por, para se të shkonte për studime në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1956 Zenel Islami morri pjesë në ceremoninë madhështore të rivarrimit të eshtrave të Migjenit në qytetin e Shkodrës, duke mbajtur arkivolin dhe fjalimin kryesor, si ish-nxënës dhe personazh i Migjenit, gjë e cila në një farë mënyre do ta popullarizonte shumë emrin dhe figurën e Zenelit, jo vetëm në popull, por edhe tek udhëheqja e lartë e PPSH-së.

 

 

 

 

Pas kthimit nga Moska, Zeneli u emërua si Sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit dhe më 6 korrik të vitit 1961, ai u emërua me detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi, detyrë të cilën, ai nuk mundi ta ushtronte dot, pasi duke u gdhirë 9 korriku i atij viti, ai u gjet i vrarë në fshatin Labinot Mal, ku kishte shkuar bashkë me disa kuadro të tjerë të atij rrethi, për të marrë pjesë në festimet e 10 Korrikut, festës së Ushtrisë Popullore.

 

Vrasja e Zenel Islamit bëri bujë të madhe asokohe edhe për vetë popullaritetin e madh që gëzonte ai, si ish-nxënës i Migjenit, ndonëse versioni zyrtar ishte “vetëvrasje“?! Gjë e cila kundërshohet jo vetëm nga bashkëshortja e tij, Drita Gjylbegu Islami dhe i biri, Bedri Islami, (shkrimtar, publicist dhe gazetar i njohur), por edhe nga disa personazhe të tjerë, të cilët janë intervistuar nga grupi realizues i dokumentarit në fjalë dhe që me dëshmitë e tyre para kamerave japin version tjetër, lidhur me atë ngjarje të largët, që vazhdon edhe sot të mos jetë e zbardhur zyrtarisht.

 

 

 

 

Kështu, Drita Gjylbegu Islami, ndonëse në moshë 90-vjeçare, me një kujtesë për t’u admiruar, sjell në kohë të gjithë jetën e saj me Zenelin dhe shpjegon momentet e fundit, që ajo kaloi me të në Elbasan, si dhe makinacionet e Sigurimit të Shtetit, për ta bindur atë se Zeneli kishte kryer “vetëvrasje“, etj etj. Me mjaft interes për teleshikuesin, janë dëshmitë e znj. Drita Gjylbegu Islami, ku ajo rrëfen për presionin e madh që kishte nga Komiteti i Partisë së Shkodrës dhe njerëzit e ardhur nga Tirana, që ajo ta divorconte pas vdekjes bashkëshortin e saj, Zenelin, “pasi Partia e dënonte aktin e vetëvrasjes“, si dhe atë çka ndodhte me varrin e Zenelit, në varrezat e qytetit të Shkodrës, që ajo e gjeti dy herë të hapur….?!

Ndërsa Bedri Islami, (i cili vite më parë, ka botuar një libër me titull “Vrasja e Lulit të vocërr të Migjenit“), me dëshmitë e tij para kamerave sjell fakte dhe argumente të panjohura, mbi likujdimin fizik të babait të tij, nga segmente të Sigurimit të Shtetit. Në këtë kontekst, Bedriu dëshmon edhe për “kujdesin“ e njerëzve të Sigurimit të Shtetit për të mos e hapur arkivolin ku ndodhej trupi i babajt të tij, ku që nga Elbasani e gjatë gjithë udhëtimit për në Shkodër, e deri tak varrimi i tij, në çdo moment ishte i pranishëm një njeri i Sigurimit të Shtetit?! Po kështu, ai rrëfen edhe për kohën e paktë që arkivoli me trupin e Zenel Islamit u la në shtëpinë e Gjylbegëve në Shkodër, ku edhe pse njerëzit e Partisë dhe të Sigurimit nuk lejonin njeri të shkonte për ngushëllim, dy-tre kushërinj të tij nga Puka, gjetën rastin dhe hyjnë fshehurazi në dhomën ku mbahej arkivoli dhe kur e hapën, panë se kishte më shumë se një plumb pistoilete…?!

 

 

 

 

 

Po kështu, Bedriu dhe e ëma e tij, Drita, tregojnë edhe për ndalimin që iu bë tek ura në Vaun e Dejës, një numri të madh pukianësh që tentuan të shkonin në varrimin e Zenelit në qytetin e Shkodrës?! Po kështu edhe të intervistuarit e tjerë, si: Fran Palushi (ish-nxënës në Pukë që e ka takuar Zenel Islamin), Shaban Karati (nip i Zenelit), Xhemal Meçi (historian nga Puka), Ilir Demi (i biri i Tahir Demit (ish-kryetar i Komitetitr Ekzekutiv të Elbasanit, i pushkatuar si “armik i popullit“, Faika Topi (komshie e familjes së Zenel Islamit në Elbasan), Behije Çela (mbesa e Qamil Çelës, shok e mik i Zenelit), me dëshmitë e tyre para kamerave hedhin dritë dhe ndriçojnë mësëmiri të gjithë historinë e jetës së Zenel Islamit, e cila u mbyll tragjikisht duke u gdhirë 9 korriku i vitit 1961.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Dorian Koçi

80 vjet pa Migjenin

Poeti i dhimbjes

Misteri migjenian

“Tj je për mua kaq e ëmbël…”

Migjeni, Bojka… dhe dhimbja e dashurisë (letra)


Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!