Sislej Xhafa ka tërhequr vëmendjen e kritikës, me veprën e fundit të tij. Fotografia e një 80-vjeçari kubanez, në derën e dyqanit të tij të improvizuar, brenda hapësirës së panairit të artit në Basel, është thuajse në të gjitha shkrimet e rëndësishme mbi artin pamor, për këtë event të rëndësishëm artistik.
Ai quhet Raúl Postillo Zamá. “New York Times” e fokuson portretin e burrit të moshuar nga Havana, që mban në duar një cigare. “Ovid Solitude” quhet puna me të cilën, artisti prezantohet në Bazel, për ekspozitën “Unlimited”. Në qendër është një i moshuar, nga Kuba, i cili duket se ka sjellë në këtë event edhe dyqanin ku ai shet vezë çdo ditë.
Metafora e gjetur e artistit shqiptar, duket si provokimi më i bukur këto kohë të trazuara për ekonominë dhe politikën. Për të qenë i pranishëm në Bazel, shitësit të vezëve i është dashur të marrë vizë. I gjithë ky proces është shoqëruar me një sërë dokumentesh, që ai i ka marrë me vete.
“Projekti fokusohet në çështjet e ndarjeve, mureve, kufijve”, – shprehet Lorenzo Fiaschi, drejtor pranë “Galleria Continua” që përfaqëson Xhafën, si artist…
“Unlimited” vizitohet çdo vit 95 mijë njerëz nga mbarë bota, pasi është skena e artistëve më në zë të momentit, me punët e tyre provokuese.
Sislej Xhafa është i njohur për provokimet artistike, mbi këndvështrimin e artit si mjet komunikimi me mediume më të mëdha, sidomos ato politike. Kubanezi që shet vezë, mundet të jetë gjetja më interesante e këtij viti në Bazel, duke përcjellë edhe qëllimin e artit: nevojën për reflektim.