Prej kohësh Neymar Jr është një çështjë madhore jo vetëm në kampin e PSG dhe Brazilit, por në të gjithë botën e futbollit.
Ylli brazilian ka pësuar një goditje të dyfishtë kohët e fundit ku pas dëmtimit që e la jashtë “Kupës së Amerikës”, atij i duhet të përballet edhe me akuzat për abuzimin ndaj modeles që e kanë tronditur moralisht.
Pas këtyre, Neymar duket se është i vendosur për t’u larguar nga PSG.
Dëshira e tij është të braktisë Parisin për t’u kthyer te Barcelona.
Deklaratat e Al Khelaifit për “France Football” si: “askush nuk e detyroi të firmoste këtu”, apo “dua që lojtarët të jenë të përgatitur për të mbrojtur nderin e kësaj fanelle”, nuk dhanë asnjë rezultat.
Siç njofton “El Mundo Deportivo”, prej muajsh Neymar po këmbëngul për t’u kthyer te Barcelona. Mesazhi tashmë ka shkuar drejtpërdrejt te pronari i PSG-së, Al Khelaifi.
“Nuk dua të luaj më për PSG. Dëshiroj të kthehem në shtëpinë time, nga ku kurrë nuk duhej të largohesha.”, mësohet të ketë thënë “Ney”.
Kjo kërkesë e 27-vjeçarit, drejtuar presidentit të klubit francez shpjegon edhe ndryshim e diskursit të PSG-së ndaj futbollistit, që deri para pak kohësh konsiderohej i pashitshëm.
As trajneri gjerman Thomas Tuchel, nuk po mundet më të zgjidhë problemet që i ka shkaktuar Neymar në dhomat e zhveshjes, duke dhënë aprovimin për shitjen e tij.