MENU

Ulje drastike

Më i shtrenjti në histori/ Ja sa kushton sot Neymar!

11.06.2019 - 22:10

Neymar Junior është blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit me PSG që i pagoi 222 milionë euro Barcelonës.

Megjithatë, asgjë nuk ka shkuar ashtu si pritej dhe Neymar deri tani ka rezultuar një operacion i dështuar.

Braziliani ka luajtur vetëm 51.8% të ndeshjeve që kur ka shkuar në Francë dhe dëmtimet sa vijnë e po shtohen.

Përveç kësaj, edhe jashtë fushe gjërat nuk po ecin mbarë dhe denoncim për përdhunim ka qenë një goditje e fortë për imazhin e lojtarit, i cili ka kontrata shumë milionëshe me kompani të ndryshme dhe ndonëse me shumë gjasa do të shpallet i pafajshëm, sërish po humbet miliona euro, sepse disa kompani po prishin kontratat.

Ndërkaq, CIES (Qendra Ndërkombëtare e Studimeve Sportive) e ka ulur vlerën e Neymar nga 213 milionë euro në fillim të vitit në 120-150 milionë euro këtë muaj.

Edhe Transfermarkt.de e ka ulur vlerën e brazilianit, pavarësisht se për momentin e ka ndalur në 180 milionë euro.

Me paraqitjet e këtij viti dhe mungesën për dëmtim në Copa America, Neymar me shumë gjasa nuk do të jetë as në listën e 50 kandidatëve për Topin e Artë në fund të vitit, çka do të ishte një tjetër katastrofë në aspektin e imazhit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN