Ishte 23 qershori i vitit 1787, kur delegatët e Kuvendit kushtetues në Filadelfia votuan njëzëri, për t’i vënë emrin vendit të ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky emër ishte përdorur në Deklaratën e Pavarësisë në vitin 1776, por në kushtetutën e parë të vendit, që njihet si Artikujt e Konfederatës, emri i vendit ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës së Veriut.
Në Kuvendin e Filadelfias, delegati nga Connecticut-i, Oliver Ellsworth, i bindi me sukses delegatët e tjerë që vendit të ri t’i vihej emri Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emrin që në njohim edhe sot.
***
Kombi amerikan u themelua nga trembëdhjetë kolonitë e Britanisë së Madhe, ndodhur përgjatë bregdetit Atlantik. Më 4 korrik 1776, ato nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, që shpalli pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe dhe formimin e një bashkimi kooperativ. Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në Luftën Revolucionare Amerikane, luftën e parë të suksesshme të kolonive për pavarësi. Kuvendi i Filadelfias përpiloi Kushtetutën e tashme të Shteteve të Bashkuara më 17 shtator 1787; miratimi i saj në vitet vijuese i bëri shtetet pjesë të një republike të vetme me qeveri të fuqishme qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791.
Në shekullin XIX, Shtetet e Bashkuara fituan toka nga Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Meksika dhe Rusia, si dhe aneksuan Republikën e Teksasit dhe Republikën e Hawait. Mosmarrëveshjet mes jugut bujqësor dhe veriut industrial rreth të drejtave të shteteve dhe zgjerimit të institucionit të skllavërisë provokuan Luftën Qytetare Amerikane të viteve 1860. Fitorja e veriut parandaloi një ndarje të përhershme të vendit dhe çoi drejt përfundimit të skllavërisë së ligjshme në Shtetet e Bashkuara. Në vitet 1870-të, ekonomia kombëtare ishte më e madhja në botë. Lufta Spanjollo-Amerikane dhe Lufta e Parë Botërore konfirmuan statusin e vendit si fuqi ushtarake.
Më 1945, Shtetet e Bashkuara dolën nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i parë me armë bërthamore, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe themeluese e NATO-s. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e la SHBA-në si superfuqinë e vetme. Afro 50% të shpenzimeve ushtarake të rruzullit bëhen nga Shtetet e Bashkuara, që vazhdojnë të jenë forcë drejtuese ekonomike, politike dhe kulturore në botë.