109 – Perandori romak Trajan përuron Aqua Traiana, një kanal ujor nga Liqeni Bracciano, 40 kilometra në veri-perëndim të Romës. Aqua Traiana ishte një nga 11 ujësjellësit me kohë më të gjatë midis vitit 312 pes, kur Roma ndërtoi ujësjellsin e parë dhe vitit 537, kur barbarët rrethuan qytetin dhe thuhet se shkatërruan ujësjellësit jashtë mureve të Romës. Trajan ose Marcus Ulpius Trajanus, ishte perandori i parë jo-italian. Lindur në vitin 53 në Hispania (sot Andaluzi), ai zgjeroi territorin e Romës në kufijtë e saj më të largët. Vdiq më 117, thuhet, nga dëshpërimi kur mësoi se banorët në territoret e pushtuara prej tij, Dacia e Parthia, kishin ngritur krye. Historianët e përfshijnë Trajanin në listën e perandorëve të mirë romakë.
474 – Forcat romake të Julius Nepos rrëzojnë uzurpuesin e fronit Glycerius dhe e shpallin Nepos perandor. Julius Nepos ishte nipi i Marcellinus komandant i Dalmacisë dhe kur ky vdiq më 468, Nepos i zuri vendin. Nepos vdiq më 9 maj 480, i vrarë nga dy prej shërbëtorëve në shtëpinë e tij afër Salonae (Solin, Split). Shkaku i vrasjes është i paqartë; faji i hidhet Glycerius, që ishte bërë kryepeshkop i Mediolanum (Milano).
1314 – Lufta e Parë skoceze e Pavarësisë: Beteja e Bannockburn përfundon me fitore nga forcat skoceze të udhëhequra nga Robert Bruce – edhe pse Anglia nuk e njohu pavarësinë e Skocisë deri më 1328 me nënshkrimin e Traktatit Edinburg-Northampton.
1497 – Eksploruesi John Cabot mbërrin në Amerikën e Veriut në Newfoundland, duke u bërë evropiani i parë që zbret në këto brigje pas vikingëve në shekullin X.
1812 – Ushtria e Napoleonit kalon lumin Neman duke filluar pushtimin e Rusisë. Historianët thonë se arsyeja e pushtimit ishte mungesa e vullnetit të Rusisë për të mbështetur sistemin kontinental që Napoleoni e kishte krijuar për vendosjen e një bllokade mbarë-evropiane ndaj Anglisë – të tjerë thonë se ishte euforia, mania e madhështisë – reflekse të fuqisë së pakontrolluar.
1842 – Lindi Ambrose Bierce, shkrimtar, poet, gazetar, eseist amerikan. Pavarësisht reputacionit si kritik i hidhur, Bierce ishte i njohur për nxitjen e shkrimtarëve të rinj. Stili i tij shpesh përfshin imazhe të errëta, referenca të paqarta në kohë, përshkrime plot nënkuptime, dhe tema të luftës. Në vitin 1913, Bierce udhëtoi në Meksikë për të fituar përvojë të dorës së parë të Revolucionit meksikan. Ndërsa udhëtonte me trupat kryengritëse, ai u zhduk pa lënë gjurmë. “Devil’s Dictionary”, përshkrim sarkastik, tallës, por i vërtetë i fjalëve dhe shprehjeve, është libri i tij më i përhapur.
Mënyrë tjetër, nga Ambrose Bierce
(shqipërim)
Jam shtrirë në heshtje, i vdekur. Një grua vjen
Vendos trëndafil në kraharorin tim:
“Zoti të mëshiroftë.” Foli ajo emrin tim,
“Është e çuditshme ta mendosh të vdekur.
Më donte shumë, por ishte mënyra e tij
Për ta thënë atë lehtë.” Pastaj, nën zë shtoi:
“Përveç se..” – E dija se çfarë donte të thoshte,
Por një zhurmë hapash prishi ëndrrën e vdekjes.
Sot këto janë fjalët e mia. Jam unë që vendos lule
Mbi gjoksin e saj, them emrin e saj, dhe mendoj
Është e çuditshme që ka vdekur. Zoti e di
Isha më i kënaqur në ëndërrën tjetër.
1846 – Paris, Francë; Adolf Sax regjistron shpikjen e tij. Lindur në një familje belge me tradita në krijimin e intrumenteve frymorë të muzikës, Saks i gjeti të hedhura bazat për zbulimet e ardhshme – më i suksesshmi, SaksofonI.
1880 – “O Kanada”, interpretohet për here të parë në Kongresin kombëtar të franko – kanadezëve; kënga u bë himni i Kanadasë.
“O Kanada! Shtëpia dhe vendlindja jonë!
Vërtetë dashuri atdheu në gjithë bijtë urdhëron.
Me zemra të ndezura të shohim ty që rritesh,
Veri i vërtetë, i forte, i lirë.
Qëndro roje, o Kanada
Ne qëndrojmë roje për ty….”
1913 – Lufta ballkanike; Greqia dhe Serbia anulojnë aleancën e tyre me Bullgarinë. Nga Lufta e Dytë Ballkanike, Serbia doli si shteti më i fuqishëm ushtarakisht në jug të Danubit. Ndërkohë, Shqipëria fitoi zyrtarisht pavaresinë, sipas kushteve të Traktatit të Londrës, me këmbënguljen e fortë të Austro-Hungarisë dhe Italisë, të dy këto vende duke shpresuar për të kontrolluar për veten e tyre shtetin e ri, dhe në këtë mënyrë ngushticën e Otrantos në Adriatik. Me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë, sipas Protokollit të Firencës (17 dhjetor 1913), serbët humbën çmimin e daljes në det, dhe grekët rajonin e Shqipërisë jugore; Bullgaria, nga ana e saj humbi të gjitha territoret e fituara në luftrat ballkanike. Gjithashtu, u krijua një territor ri i quajtur ‘Serbia Jugore’, që më pas do të njihej si Maqedonia.
1914 – Lindi Cecile Pearl Witherington Cornioley, agjente e fshehtë britanike, Lindur në Paris nga prindër britanikë, ajo arratistet nga Franca kur gjermanët pushtojnë vendin më 1940. Në dhjetor mbërriti në Londër, ku gjeti punë me Ministrinë e Aviacionit. E vendosur për të luftuar kundër pushtimit gjerman të Francës, ajo iu bashkua Operacioneve Speciale Ekzekutive (SOE), krijuar në kuadër të planit të Çurcillit për ‘ndezjen Evropës në flakë’. Me emrin e koduar “Marie”, Witherington u hodh me parashutë në Francën e pushtuar më 22 shtator të vitit 1943. Aq me vlerë ishte veprimtaria për aleatët – sa gjermanët vunë një shpërblim prej 1 milionë frangash për kapjen e saj. Pas Luftës, Witherington jetoi herë në Angli, herë në Francës – vdiq në Paris më 2008.
1916 – Aktorja Mary Pickford bëhet ylli i parë femër që nënshkruan kontratë milionë dollarëshe në Hollywood. Lindur në Toronto, Kanada më 1892, e pagëzuar si Gladys Mary Smith, ajo u bë aktore, regjisore dhe skenariste e njohur me emrin ‘e dashura e Amerikës’ në periudhën e filmit pa zë. Vdiq më 1979, në Santa Monika, Kaliforni.
1939 – Sekretari amerikan i shtetit Kordell Hull thërret ministrin shqiptar Faik Konica për ta informuar se misionii tij në Ushington kishte marrë fund pas vendimit të qeverisë kukull italiane të Tiranës për të mbyllur legatat dhe konsullatat shqiptare jashtë vendit.
1948 – Fillimi i bllokadës së Berlinit: Bashkimi Sovjetik bën të pamundur udhëtimin me rrugë tokësore ndërmjet Gjermanisë Perëndimore dhe Berlinit Perëndimor.
1997 – Administrat e Forcave ajrore amerikane publikon raportin Roswell, mbi rastin e vitit 1947 në Roswell, Nju Meksikë, incident që lidhet me Objektet Fluturues të Padentifikuar (UFO). Raporti shpall se pas shqyrtimit të çështjes, nuk u gjet asnjë provë ose informacion se “Incidenti Roswell” lidhje me fenomenin UFO; nga identifikimi i mbetjeve doli se ato ishin pjesë e një baloni-tollumbac dhe se shprehja “disk fluturues” u përdor si termi më i përshtatshëm nga shtypi vendor i kohës per të përshkruar rrëzimin e një tollumbaci gjigand ushtarak, i pajisur me aparatura për parashikimin e motit.
2004 – Në shtetin Nju Jork, dënimi me vdekje shpallet jokushtetues.