Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në ditën e tij të dytë gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka ndaluar në veri të Mitrovicës duke mbajtur një fjalim për të gjithë serbët e Kosovës.
Vuçiç është shprehur pesimist në lidhje me marrëveshjen e Kosovën për çështjen e kufijve, për të cilën ka thënë se duket shumë larg.
Sipas presidentit serb, në Kosovë nuk do të ketë nxitje për luftë, por as njohje të saj si shtet të pavarur.
“Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranoj pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër. Ajo për të cilën po angazhohem është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore”, tha Vuçiç.
“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën. Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, tha Vuçiq.
Gjatë fjalimit të tij, Presidenti i Serbisë shfaqi shqetësimin e tij për natalitetin e ulët të serbëve, duke u bërë thirrje atyre “që të bëjnë sa më shumë fëmijë”.
“Serbët nuk do të largohen nga shtëpitë e tyre, do të jenë edhe shumë fëmijë të tjerë këtu. Zgjidhja nuk është afër, por besoj se mund të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme. Ne do të investojmë miliona euro në spitale, shkolla, do ta ndihmojmë popullin tonë në Kosovë. Do të shkojmë në çdo fshat, dhe do të zhvillojmë bizneset e tyre”.
Kujtojmë se vizita e presidentit Vuçiç u ndërpre për shkak se qeveria e Kosovës i anulloi lejen për vizitat e mëtejshme, si dhe banorët shqiptarë organizuan tubime dhe ja bënë të pamundur vizitën e planifikuar në fshatin e Banjës në Drenicë.
Në lidhje me këtë të fundit Vuçiç thotë:
“Herën tjetër do ta vizitojë edhe Banjën”
“U kërkoj falje serbëve të Kosovës që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim, sepse disa njerëz të gjitha rrugët i bllokuan, dogjën goma, dru, gjuajtën me armë, sigurisht që ta frikësojnë dikë, ata që jetojnë në atdheun e tyre dhe askujt s’i kanë marr asgjë. Herën tjetër do ta vizitojë edhe Banjën, vendin të cilin u pengova të shkojë”, tha Vuçiq.
Së fundmi, Vuçiç ka theksuar mbështetjen që Serbia ka nga Rusia si dhe nga bota.
“Serbia po bëhet çdo ditë e më e madhe, dhe këtë për shkak se nuk është në konflikt me askënd”.”Sot, kemi më shumë se kurrë mbështetjen e botës. Faleminderit miqve tanë nga Rusia, të cilët politikisht ishin me ne, kur nuk ishte askush tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse ne mund të zgjedhim të ardhmen tonë, dhe të themi se nuk duam të hyjmë në NATO, sepse duam të mbajmë neutralitetin tonë ushtarak”