Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, do të mblidhen në Bruksel për bisedime dyditëshe që do të përfshijnë shpenzimet e mbrojtjes brenda aleancës, misionin e saj në Afganistan dhe shkeljet e supozuara të Rusisë të një marrëveshje kontrolli mbi armët bërthamore të luftës së ftohtë, njoftoi Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Duke theksuar temat kryesore për diskutim, Stoltenberg tha se ministrat do të diskutojnë mbi “ndarjen e barrës financiare” midis aleatëve të NATO-s, pas thirrjeve të vazhdueshme nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në nivelin e dakorduar prej 2 përqind të bruto produktit të brendshëm.
Një ditë para takimit të nivelit të lartë, NATO-ja i kërkoi Rusisë që të shkatërrojë sistemin e saj raketor përpara afatit në muajin gusht, dhe të ruaj traktatin që mundëson mbajtjen e kokave bërthamore jashtë Evropës.
Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel të martën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Rusia kishte vetëm pesë javë për të hequr sistemin dhe për të shpëtuar traktatin.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të marrë rrugën e përgjegjshme. Për fat të keq, nuk kemi parë asnjë shenjë që Rusia ka ndërmend ta bëjë këtë, “tha ai.
NATO-ja tha se në të kundërten, Rusia do të përballet me një përgjigje më të vendosur të aleancës.
Shefi i NATO-s tha se përgjigja do të ishte “mbrojtëse, e matur dhe e koordinuar”, por nuk do të rezultojë në vendosjen e raketave bërthamore me bazë në tokë.
“Ndërsa Rusia po vendos raketat e reja ne duhet të sigurojmë që parandalimi ynë është efektiv. Kjo është puna e NATO-s. ”
Takimi dy-ditor i NATO-s gjithashtu pritet të përfshijë bisedime mbi tensionet e rritura midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Gjirit Persik