Të dyshuarit në sulmin e Salisbury Novichok duhet të “sillen para drejtësisë” dhe Rusia duhet të ndalë “aktivitetet e saj destabilizuese”, tha Theresa May.
Kryeministrja britanike foli për BBC para se të takohej me presidentin rus Putin në samitin e G20.
Britania e Madhe beson se dy oficerë nga shërbimi sekret ushtarak i Rusisë, GRU, ishin pas helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në mars 2018.
May dhe Putin u takuan për bisedime në prag të samitit të G20 në Osaka, Japoni, dhe ky ishte takimi i parë dypalësh mes dy udhëheqësve që nga sulmi i vitit 2018.
Të dy liderët shtrënguan duart, por May dukej tepër serioze.
Takimi po ashtu vjen pasi Putin, në një intervistë me Financial Times, sulmoi liberalizmin, një parim thelbësor të demokracisë perëndimore.
Në intervistën me Financial Times, Putin deklaroi se liberalizmi kishte “tejkaluar qëllimin e tij”. Ai tha se shpresonte që “disa hapa paraprakë” të bëhen në drejtim të rivendosjes së marrëdhënieve midis Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Duke folur për zëvendës redaktorin politik të BBC John Pienaar, May tha se helmimi ishte një “veprim i neveritshëm dhe i papërgjegjshëm”.
“Rusia duhet të njohë veprimet e saj dhe të ndalojë aktivitetet e tjera destabilizuese në mbarë botën, duke përfshirë, për shembull, përdorimin e dezinformatave dhe sulmeve kibernetike”, shtoi ajo.
Skripal dhe vajza e tij i mbijetuan helmimit në mars të vitit të kaluar, por një grua britanike, Dawn Sturgess, vdiq korrikun e kaluar pasi kishte patur kontakt me Novichok.
Helmimi Skripal ngriu marrëdhëniet midis Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Britania e Madhe dëboi 23 diplomatë rusë, të cilët May pretendoi se ishin oficerë të padeklaruar të inteligjencës pas sulmit të Salisbury dhe Rusia u përgjigj duke përjashtuar diplomatët e Mbretërisë së Bashkuar.