MENU
klinika

Madhështi dhe disfatë

Lufta e himarjotëve kundër sulltanit

10.09.2018 - 10:43

Në vitin 1537, sultan Sulejmani Ligjvënësi(Kanuniu) u përgatit të realizonte ëndrrën e vjetër të lënë përgjysmë nga pasardhësit e vet, pushtimin e Italisë. Në krye të një ushtrie të madhe, në verën e atij viti kaloi nëpër Shkup, Strugë e Elbasan, ku zhvilloi edhe një gjueti të këndshme, kaloi lumen e Vjosës dhe mbërriti në Vlorë.

Sipas literaturës europiane, qëllimet e sulltani Ligjëvënësit ishin të zbarkonte në brigjet e Puljes, ashtu si pasardhësit e tij, Mehmeti II (1480) dhe Bajaziti II (1492), kurse në literaturën shqiptare, kësaj ekspedite i vihen dy qëllime, ose një rrugë e dy punë.

Në radhë të parë, të nënshtronte banorët e krahinës së Himarës dhe t’i detyronte ata të shlyenin detyrimet e prapambetura. Qëllimi i dytë ishte ëndrra e zbarkimit në Pulje të Italisë. Sulltani qëndroi në krahinën e himarjotëve disa ditë për t’i shkatërruar ata banorë që u kishin sjellë dëme të vazhdueshme qeveritarëve të tij përreth.

Rrjedha e ngjarjeve nuk e përligj këtë qëllim të dyfishtë. Porsa forcat osmane mbërritën në Vlorë, Hajredin pasha filloi shkretimin e brigjeve të Italisë.

Flota filloi të trasportojë trupa drejt perëndimit. Ndërkohë, himarjotët sulmonin karvanët dhe forcat osmane; i shqetësonin dhe u sillnin humbje të konsiderueshme. Kjo e detyroi sulltanin madhështor të ndërmarrë një ekspeditë kundër tyre për t’u dhënë fund shqetësimeve që i shkaktonin.

Himarjotët kishin zënë rob edhe përkthyesin (dragomanin) e sulltanit. Himarjotët, nga zonat e thella, suleshin kundër osmanëve dhe ktheheshin në strofkat e tyre me gjah të pasur. Marmora i krahason veprimet e himarjotëve me ato të një ujku të urritur mbi një kope, i cili i ngopur, kthehet në strofull me hapa të shpejta.

Për nënshtrimin e himarjotëve ai caktoi Vezirin e Madh, Ajaz Pashën, një himarjot i rritur në oborrin e sulltanëve, njohës shumë i mirë i terrenit, së bashku me kryetarin e jeniçerëve, që t’i nxirrte himarjotët nga shpellat ku strehoheshin.

Luftimet vazhduan gjatë gjithë verës, mbasi nuk ishte një punë e lehtë. Himarjotët i favorizonte terreni. Ata herë i dilnin ushtrisë në brinjë, herë nga prapa dhe rrallë përballë. Osmanët lanë rreth 8000 ushtarë të vrarë, kurse të tjerët u tërhoqën.

Disa burime në literaturën historike ndodhen në unison se himarjotët bënin një luftë mbrojtëse, duke pritur kundërshtarët në zonat e thella, ku kishin strehuar familjet dhe bagëtinë.

Nga pozita mbrojtëse, himarjotët u hodhën në sulm ndaj vendit ku sulltani kishte ngritur shatoren e vet. Një himarjot i quajtur damjan, një nga kapedanët e zotërimit himarjot, mori përsipër të hetonte gjendjen e ushtrisë turke dhe vendin ku ishte sulltani.

Natën e 25 korrikut 1537 arriti përpara çadrës së sulltanit. Ai kishte vendosur t’i hynte sulltanit në çadrën e vet dhe ta vriste, ashtu siç kishte bërë Millosh Kopiliqi.

Në literaturën historike ai është krahasuar me heroin e Romës së Vjetër, Muc Shevolën, i cili u përpoq të vriste Porsenën, mbretin armik. Veprimi I tij është quajtur si një komplot I organizuar dhe mundet.

Para se të kalonte rojet, ai hipi në një pemë për të parë më mirë çadrën e sulltanit, por dega e pemës u këput dhe rojet e kapën. Para Ajaz pashës u paraqit si haratçar himarjot që kishte ardhur t’i shlyente haraçin sulltanit, por e kishte kapur gjumi nën atë pemë. Ajazi nuk e besoi dhe me tortura desh ta detyronte të tregonte të vërtetën.

Sipas historiografisë shqiptare, atë e torturuan për vdekje, por ai nuk tregoi pozicionet e bashkëluftëtarëve të tij, kurse sipas J. Edvinit, Damjani tregoi pozicionet pas torturave të shumta dhe, megjithatë, u bë çikë e thërrime (25 korrik 1537). Sulltani u hakmor në mënyrë të pamëshirshme mbi krahinën e Himarës.

Himarjotët për herë të dytë penguan planin për të zbarkuar në Itali. Vonesa i dha mundësi mbretit të Napolit të marrë masa për mbrojtjen e vendit.

Rolin e shqiptarëve e pohon një relator bashkëkohës, kur midis të tjerave shkruan ‘’Kur çdo gjë ishte gati për të kaluar në Pulje, shqiptarët kryesisht himarjotët, u shkaktuan ushtarëve të sulltanit pengesa e trazira të mëdha…këta u bënë shkaku kryesor që shpëtoi Pulja dhe ajo mbretëri (Napoli) nga një rrënim i madh dhe nga zjarri që u rrinin mbi kokë’’

Flota trasportoi trupat osmane në brigjet e Puljas përmes ngushticës së Otrantos. Megjithëse sulltani shkretoi brigjet e Puljes, nuk mundi të përparonte më tej dhe u detyrua të kthehej përsëri në tokat e shqiptarëve.

Vonesa e himarjotëve ishte vetëm një faktor, të tjerë ishin vështirësia e trasportimit të një ushtrie të madhe prej afro 200.000 vetësh, shqetësimet e venedikasve në det dhe mbi të gjitha, intrigat e spanjollëve. Ata futën grindje midis Hajredin pashës dhe Ajaz pashës.

I pari ishte për pushtimin e Korfuzit. Të gjitha këto së bashku e detyruan sulltanin, pas këshillimit me divanin, të hiqte dorë nga plani i pushtimit të Italisë dhe t’i detyrohej ishullit të Korfuzit, me qëllim që të forconte sundimin e vet në krahinat e bregdetit shqiptar.

Për këtë qëllim sulltani urdhëroi shpërnguljen e kampit ushtarak nga Vlora e Himara në Butrint, përballë Korfuzit.

Për muaj të tërë himarjotët nuk lejuan trasportimin e forcave me rrugë detare nga Vlora në Korfuz, aq sa forcat u detyruan të kalonin nëpërmjet rrugës tokësore Vlorë-Tepelenë-Delvinë-Sarandë.

Kjo vonesë i dha mundësi Venedikut të përforconte mbrojtjen e ishullit dhe të bënte që sulmi Osman të dështonte. Sulltani dha urdhër për tërheqje.

Ai iu drejtua Kurveleshit, ku urdhëroi ndërtimin e një kështjelle në Cerje të Mesapikut. Në vjeshtë, sulltani u detyrua të largohej nga Shqipëria pa realizuar asnjë synim. Para se të largohej, ushtria osmane pushtoi ishullin Pasko dhe dogji Butrintin, duke marrë me vete një plaçkë të madhe dhe shumë robër. Thuhet se osmanët kishin marrë robër 16.000 korfiotë meshkuj e femra, të rinj e pleq; kurse në Butrint kapën të gjithë banorët, kurse vendi ishte plaçkitur mizorisht.

Pushteti qendror u detyrua t’u njohë banorëve të kësaj krahine pozitën e krahinave autonome (venomet).

(Marrë nga ‘’Shqiptarët midis lindjes dhe perendimit’’  (1506-1750) nga Petrika Thëngjilli)

pergatiti Eugent Kllapi

 

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB